Më 6 dhe 9 gusht bëhen 75 vite që kur SHBA-ja lëshoi dy bombat atomike në qytetet e Hiroshimës dhe Nagasakit në Japoni, në prag të fundit të Luftës së Dytë Botërore. Një prej të mbijetuarve kujton të kaluarën dhe katastrofat që armët bërthamore i kanosin botës.

Mbi 200 mijë jetë të humbura, infrastrukturë e rrënuar dhe mijëra të tjerë të diagnostikuar me efektet afatgjata të rrezatimit radioaktiv.

Ishte ky bilanci i bombardimit të qyteteve japoneze të Hiroshimës dhe Nagasakit më 6 dhe 9 gusht të vitit 1945.

Teksa afron përvjetori i sulmit të paprecedentë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Terumi Tanaka, një nga të mbijetuarit, tregon se ai ishte vetëm 13 vjeç kur ndodhi ngjarja.

“Papritur dëgjova një zhurmë të madhe. Nuk e shquaja dot dhe ndërsa mendoja se çfarë mund të ishte, i gjithë mjedisi përqark u bë i bardhë. Më pas nuk dëgjova më asgjë, çuditërisht, dhe humba ndjenjat.”

88-vjeçari Tanaka i mbijetoi derës prej xhami që iu kris mbi trup dhe e ëma dhe dy motrat e tij mundën t’i shpëtonin goditjes.

Por tri ditë më vonë, ai dhe banorët e tjerë të Nagasakit u bënë dëshmitarë të pasojave të vërteta të tragjedisë.

“Në rrënojat e djegura dalloje trajta që u ngjanin qenieve ose trupave të njerëzve, të kthyer tashmë në skelet. Forcat e shpëtimit mbërritën tri ditë më vonë, dhe gjatë kësaj kohe të gjithë ata që nuk lëviznin dot ose kishin djegie të rënda, u ndihmuan ose ndërruan jetë në rrugë. Kujtoj erërat ishin të çuditshme, erërat e gjërave të përcëlluara nga vala goditëse.”

Ekspozimi ndaj rrezatimit u mori jetën disa të njohurve të afërt të Tanakës, dhe me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore dhe më pas me studimet, ai u bë pjesë e aktivistëve që lobojnë kundër armëve atomike dhe mban konferenca për pasojat e tyre, tashmë prej internetit për shkak të pandemisë së Covid-19.

“Mendoj se bota po shkon ngadalë drejt asgjësimit të armëve bërthamore. Por kur e krahasoj ritmin e plakjes dhe të vdekjes sonë, mendoj se vdekjet po vijnë më shpejt. Kur të gjithë të mbijetuarit e bombave atomike të mos jenë më, kam frikë se njerëzit nuk do arrijnë ta kuptojnë vërtet se çfarë kemi përjetuar.”

Në Parkun Përkujtimor të Hiroshimës për viktimat e bombardimit, që nga viti 1964 qëndron ndezur e ashtuquajtura “Flaka e Paqes”, e cila për autoritetet do vijojë të digjet deri kur të mos ketë më rrezik dhe kur të shkatërrohen të gjitha bombat bërthamore në botë.