Në një intervistë për gazetaren e RTV Ora, Alba Kepi të transmetuar në Tempora, kreu i Departamentit të Prokurorisë së Antimafias Italiane të Reggio Calabrias, Giovanni Bombardieri u shpreh se lufta kundër korrupsionit duhet të jetë një impenjim konkret i Shqipërisë.
Për Bombardierin, Shqipëria duhet të impenjohet për të lejuar që të shfaqet në Evropë si një partner i sigurt e aktiv i kësaj lufte.
Pra në operacionet e ekzekutuara nga ju , hetimet janë kryer deri më tani në mënyrë individuale e pa një ekip të tillë të përbashkët me autoritetet shqiptare?
Prokuror Giovanni Bombardieri – Për momentin po, por bashkëpunimi po shtohet gjithnjë e më shumë dhe për faktin se në territorin tonë është i pozicionuar Porti Gioia Taura, një vend hyrje për kokainën në Evropë. E ky trafik është rritur kaq shumë. Nëse në vitet 2016-2017 sekuestronim rreth 2 tonë kokainë në vit, në 2019, 2020 e deri sot, sekuestrimi i sasive të kokainës është rritur shumë, e vetëm në 15 ditët e fundit kemi sekuestruar rreth 1500 kg kokainë, pra po punojmë në shumë drejtime e kemi shtuar bashkëpunimet për të ndalur këtë trafik dhe me vendet e Evropës Lindore, përfshirë Shqipërinë.
U shprehët pak më parë për një tjetër rrezik mafioz që është korrupsioni. Si mund të punohet që dhe puna juaj të ketë më efikasitet në Shqipëri?
Prokuror Giovanni Bombardieri – Lufta kundër korrupsionit duhet të jetë një impenjim konkret i Shqipërisë e pikënisja e çdo bashkëpunimi me vendet e tjera por duhet të ketë një bazë besimi të plotë. Një vend që nuk garanton një luftë serioze ndaj korrupsionit është e qartë se e çon bashkëpunimin në një pikë kritike. E rëndësishme është se duhet investuar në këtë drejtim, Shqipëria duhet të impenjohet për të lejuar që të shfaqet në Evropë si një partner i sigurt e aktiv i kësaj lufte.
Një pyetje e drejtpërdrejtë nëse mund të lejohet dhe përgjigja. Duke marr shkas dhe nga operacionet e fundit, Shqipëria është një terren në fokusin e hetimeve që po kryeni?
Prokuror Giovanni Bombardieri – Eksperienca na mëson, ashtu si dhe operacionet e fundit se Ndrangheta mban marrëdhënie operative me të gjitha format e kriminalitetit me të cilat është në kontakt. Hetimet e fundit edhe jashtë territorit shqiptar kanë shfaqur aftësinë e kriminalitetit shqiptar. Hetimet nuk marrin fund kurrë si nuk merr fund dhe aktivitetit i krimit të organizuar. Kriminaliteti shqiptar ka në fokus aktivitetin, raportin e ndërveprimin e Ndranghetas e aktiviteti i Departamentit tonë ka në vëmendje të gjitha aktivitetet e mafias me raportet e saj.