Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro rezultoi negativ në testin e katërt kundër koronavirusit këtë të shtunë (25 korrik).

Është vetë ai që e ka bërë të ditur një lajm të tillë përmes një postimi në rrjetin Twitter por duke mos dhënë më shumë informacione.

Bolsonaro ka postuar një foto të vetën me një kuti hydroxychloroquine, e përdorur kundër malaries, të cilës “i falet” për rikuperimin e tij të shpejtë.

Ky medikament nuk është provuar ende shkencërisht nëse ndikon në kurimin e koronavirusit.

Presidenti ka rezultuar pozitiv në 3 teste përgjatë javëve të fundit ku fillimisht ai doli i infektuar më 7 korrik.

Ai u vetëkarantinua në vilën e tij presidenciale për 2 javë teksa ka dalë në videokonferencë për qytetarët disa herë.

Bolsonaro ka deklaruar se pasi të rikuperohet plotësisht do të fillojë një sërë vizitash rreth botës.