Në Bolivi, inxhinierët kanë ndërtuar furra të posaçme portative për të ndihmuar familjarët dhe autoritetet me numrin e kufomave të mbetura në morge dhe rrugë prej koronavirusit.

Numri i lartë i viktimave prej koronavirusit dhe ngarkesa deri në limit e varrezave ka shtyrë banorët dhe bizneset në Bolivi të mendojnë për mënyra për ta lehtësuar disi situatën.

Për shtresat më të varfra në zonat më të goditura me infrastruktura të dobët funerale, inxhinierët vendas kanë ndërtuar një kremator të posaçëm për djegien e kufomave.

Furra portative ka fuqinë për ta shpërbërë trupin e njeriut brenda 90 minutave dhe ky shërbim u kushton banorëve shumëfish më pak sesa djegia me metoda tradicionale.

“Duhet të mendojmë ekonomikisht, si për sa i përket investimit fillestar, edhe familjeve. Shërbimi ynë i krematorit kushton mes 250 dhe 280 dollarëve bolivianë, gati 40 dollarë amerikanë. Krematorët tradicionalë kushtojnë deri 1 mijë apo 2 mijë dollarë amerikanë.”

Në Bolivi, deri tani janë regjistruar mbi 83 mijë të infektuar me kovidin-19, sëmundje që u ka marrë jetën më shumë se 3,300 personave që prej zbulimit të saj në vend 5 muaj më parë.

Viti shkollor është pezulluar për rreth 2 milionë studentë që e ndjekin nga shkurti në nëntor.

Vala e infeksionit po përhapet shpejt duke vënë në vështirësi sistemin e brishtë shëndetësor.

“Ne po ulim ngarkesën e virusit, po eliminojnë burimet e infeksionit. Spitalet janë të mbushura me doktorë të sëmurë, me kufoma, me njerëz që bashkëjetojnë me kufomat në shtëpi apo që i braktisin ata në rrugë për të mos u infektuar vetë. Krematori është një zgjidhje praktike.”

Amerika Latine të martën kaloi Europën duke marrë stafetën e rajonit më më shumë viktima nga koronavirusi i ri në botë, gati 30 për qind të totalit apo rreth 210 mijë jetë të humbura.

Brazili mban vendin e parë i ndjekur nga Meksika, por pandemia po avancon me shpejtësi edhe në shtetet si Kolumbia, Peruja dhe Argjentina.