Kjo është shkolla 9 vjeçare Pezë e Vogël, (shiko videon). Tërmeti i 26 nëntorit, sipas procesverbaleve të institutit të ndërtimit dhe bashkisë së Tiranës, e bëri të pabanueshme. Pra, duhet shembur dhe ndërtuar nga fillimi. Por edhe pse kanë kaluar 10 muaj, asgjë nuk ka ndryshuar.

E hëna e 14 shtatorit duhet të ishte dita e parë e shkollës edhe për fëmijët e Pezës së vogël. Por këta nxënës sot nuk vajtën në shkollë. Indiferentizmi i kësaj bashkie që i la pa shkollë, sot i la edhe pa transport.

”Nuk ka mësues. Nuk kanë siguruar asgjë, na thanë gjeni vetë në mënyrë private. Fëmija është vetëm 6 vjeç dhe fillon klasën e parë. Kush do mbajë përgjegjësi për atë fëmijë?”

Në një rrëmujë dhe paqartësi totale, përfaqësues të njësisë administrative Pezë dhe të bashkisë i orientuan prindërit që fëmijët t’i hipin në autobus dhe t’i nisin për në Ndroq, 4 kilometra larg.

Pas refuzimit të prindërve, në Pezë të vogël mbërriti kryetari i Këshillit Bashkiak Toni Gogu i cili në vend të zgjidhjes zgjodhi të bëjë propagandë dhe të fajësojë ‘Ora News’ që nuk po lejon fëmijët të shkojnë në shkollë.

Toni Gogu: ”Shikoni, mund të jeni dëshmitarë se si do respektohet masat anti-covid.”

Në kushtet kur prindërit kuptuan që përfaqësuesi i lartë i bashkisë kishte vajtur për propagandë dhe jo për zgjidhje, refuzuan përfundimisht t’i cojnë fëmijët në shkollë. Kjo solli dhe irritimin e Toni Gogut i cili kërkon nga Ora Neës t’i vërë në dispozicion automjetet e veta për transportin e tyre.

Toni Gogu: ”Nëse juve keni dëshirë, mundet të na vini dhe makinat tuaja në dispozicion.”

Gazetari i Ora News, Elio Laze: ”Ne paguajmë taska në bashki që t’i çoni fëmijët në shkollë, nuk kemi dalë të japim ne makinat. Ka qenë kohë partizane ne. Kur bashkia të ngrejë duart, do i japim ne makinat tona.”

Ora News në disa raste nëpërmjet sensibilizimit të publikut ka ndihmuar familje në nevojë, por është hera e parë që një institucion i madh, në rastin konkret Bashkia Tiranë, shtrin dorën për sadaka.

Ne shprehim gadishmërinë tonë për të transportuar nxënësit gjatë gjithë vitit, në momentin që bashkia e drejtuar nga Erion Veliaj dhe përfaqësuar nga Toni Gogu të deklarojë publikisht se është e paaftë të kryejë detyrën që i ka ngarkuar vota e marrë nga qytetarët.