Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, ka sfiduar deputetët e opozitës, në lidhje me akuzat se ka blerë një mjet me vlerë 150 mijë euro.

Gjatë fjalës së tij në parlament, Lleshaj tha se mjeti zyrtar me të cilin ai lëviz ka kushtuar 45 mijë euro.

Ministri u shpreh se do të jepte dorëheqjen nëse vërtetohet se ky mjet është blerë më shumë se aq.

Sandër Lleshaj: ”Dua t’ju them juve dhe publikut, që kjo media ka pasqyruar një fakt skandaloz, të rremë, që thotë “është blerë një automjet në vlerën 100 milionë lekë”, ndërkohë që është pasuar nga një media tjetër më e ndyrë se kjo, që thotë është 150 mijë euro.

Unë po ju them me përgjegjësi të plotë që mjeti i blerë për llogari të Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë, nuk ka kushtuar 150 mijë euro, nuk ka kushtuar 100 milionë, por ka kushtuar vetëm 49 mijë euro.

Ju sfidoj që të thonë kaq, në qoftë se ai mjet nuk ka kushtuar 49 mijë euro, unë jap dorëheqjen këtu. Në qoftë se ka kushtuar 100 milionë, atëherë jepni dorëheqjen ju. Megjithëse ju e keni dhënë dorëheqjen. ”

Sipas Lleshajt, kjo është një mashtrim, dhe se ai zotëron vetëm një mjet tip ‘Honda’ që e ka blerë në vitin 2010.

Sandër Lleshaj: ”Media, të cilës ju i referoheni, nuk e meriton emrin ose ndajshtimin “media”, për sa kohë është një instrument i mashtrimit publik. Këtë fakt e di unë. Unë e di të qartë faktin që media, së cilës ju i referoheni ka bërë një mashtrim publik, për të cilin insiston në mënyrë kriminale prej disa ditësh.  

Po bëhen disa ditë që mashtron publikun në mënyrë skandaloze, duke thënë që “Sandër Lleshi ka blerë automjet”. Unë kam një automjet tip “Honda”, të vitit 2010, si Sandër Lleshaj. Kjo media nuk ka asnjë tagër të gjëmojë nga mbrapa automjetet, që përdor Ministri i Brendshëm, të cilat nuk janë vetëm një, janë disa.”