Presidenti Ilir Meta gjatë fjalës së tij në forumin “Biseda për tranzicionin” është shprehur se mban këtë post në periudhën më të vështirë në historinë e Shqipërisë.
Meta ka theksuar se ai ka luajtur një rol krysor në miratimin e Reformës në Drejtësi, ndërkohë që ka akuzuar qeverinë se po mundohet të kapë Gjykatën Kushtetuese.
“Jam presidenti me situatën më të vështirë në historinë e Shqipërisë. Me ato ndryshime u bënë edhe listat e mbyllura të deputetëve që janë më shumë pronë e kryetarëve. Atdhedashuria ka ndihmuar gjithmonë për të shmangur debate. Reforma në Drejtësi u bë vetëm me insistimin tim të jashtëzakonshëm, kur aktorët e tjerë bënin lojëra për të futur vendin në krizë. Unë kam paralajmëruar prej kohësh që synohet të arrihet këtu, vendi të ketë një Gjykatë Kushtetuese. Kjo i intereson vetëm sjelljes arbitrare të qeverisë për të qënë e pakontrolluar. Presidentin janë përpjekur ta vendosin gjithmonë para faktit të kryer që të kapin Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Meta.
Sakaq Presidenti Meta ka thënë se duke i hequr të drejtat mbi Gjykatën e Lartë nga Kuvendi, synohet kapja e saj.
“Venecia dha rekomandime të qarta që nuk u zbatuan. Ditën e fundit votuan fuqinë e presidentit mbi Gjykatën e Lartë, një përpjekje e qeverisë për të kapur gjykatën. Kush ka vullnet për të bashkjëpunuar dhe kush i shkakton këto konflikte.”