Bien të ardhurat, rriten shpenzimet, reduktim i ndjeshëm tek Tatimet

Bien të ardhurat, rriten shpenzimet, reduktim i ndjeshëm tek Tatimet

Pandemia ka tkurrur me 35.7 miliardë lekë të ardhurat në buxhetin e shtetit në 9-mujorin e parë të vitit 2020.

Sipas publikimit më të fundit të Ministrisë së Financave për ecurinë e treguesve fiskalë gjatë kësaj periudhe të ardhurat totale u realizuan në masën 307.83 miliradë lekë nga 310.8 që ishin parashikuar.

Reduktim i ndjeshëm u shënua nga të ardhurat e arkëtuara nga Tatimet dhe Doganat me një rënie prej 31.3 miliardë lekësh krahasuar me 9-mujorin e vitit 2019.

Për periudhën janar-shtator tatimet dhe doganat kanë arkëtuar 270 miliardë lekë ose 3.2 miliardë më pak se plani vjetor.

Nga ana tjetër, shpenzimet në nëntë muajt e parë të vitit kanë shënuar një rritje prej rreth 6% krahasuar me një vit më parë ose 20.4 miliardë lekë më shumë.

Sipas ministrisë, një ndër faktorët ndikues kanë qenë transfertat për paketat financiare në mbështetje të biznesit.

Përgjatë kësaj periudhe bëhet e ditur se shpenzimet kanë arritur në 366.25 miliardë lekë, nga të cilat 12.8 miliardë lekë i përkasin paketave ndihmëse.

Në raport bëhet e ditur gjithashtu se deficiti ka rezultuar më i ulët nga parashikimi.

Në planin vjetor niveli i deficitit ishte parashikuar 85.39 miliardë lekë ndërkohë që në fund të shtatorit raportohet në rreth 58.42 miliardë lekë.

Megjithatë ndikuar nga efektet e pandemisë, krahasuar me një vit më parë ka shënuar një rritje prej 56.13 miliardë lekësh më shumë.

Vendi Ekonomi Lajme pandemi buxhet bien te ardhurat rriten shpenzimet tkurr

EMISIONET