Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kaluan të hënën rekordin e 500 mijë jetëve të humbura si pasojë e pandemisë.

Presidenti Xho Bajden dhe bashkëshortja i nderuan viktimat në heshtje nën flakën e qirinjve jashtë Shtëpisë së Bardhë.

Bilanci i tyre i kalon të vrarët në dy luftërat botërore dhe në luftën e Vietnamit të marrë së bashku, ndërsa mbi 28 milionë të tjerë janë ekspozuar ndaj koronavirusit.

“E dëgjojmë shpesh të thuhet që këta ishin amerikanë të thjeshtë. Por vetëm të thjeshtë nuk ishin: ishin të jashtëzakonshëm, vinin nga disa breza. Lindën, emigruan në Amerikë dhe ashtu dhanë edhe frymën e fundit në Amerikë.”

Presidenti Bajden tha se ai e kupton dhimbjen e familjarëve të viktimave, pasi vetë ka humbur bashkëshorten e parë dhe vajzën, dhe në vitin 2015-ën, edhe djalin e tij.

Ai tha se amerikanët duhet të gjejnë një qëllim tjetër në jetë.

“Ky komb ka për të qeshur edhe një herë, ka për të parë edhe një herë ditë me diell, do gëzojë edhe një herë tjetër.  Dhe ne do kujtojmë çdo person që humbëm, si jetuan dhe çfarë lanë pas. Do ta kalojmë bashkë këtë.”

Kryeshtetari amerikan urdhëroi të gjithë flamurët në godinat qeveritare të ulen në gjysmështizë për 5 ditët e ardhshme.

Me këtë rast, kambanat e katedrales së Uashingtonit ranë të hënën 500 herë, një herë për çdo 1 mijë viktima të kovidit-19.

Edhe pse situata epidemiologjike po përmirësohet me vaksinat, 90 mijë amerikanë të tjerë pritet të humbasin jetën nga sëmundja infektive deri në muajin qershor.