Xho Bajden, presidenti i zgjedhur i Amerikës, e ka quajtur të “turpshëm” vendimin e presidentit Donald Tramp për të mos e pranuar humbjen në garën elektorale të 3 nëntorit.

Më shumë se një javë nga mbajtja e zgjedhjeve presidenciale, demokrati Bajden rezulton të ketë marrë 290 vota nga Kolegji Elektoral, kundrejt 214 votave që numëron kryetari në ikje i shtetit.

Por republikani Tramp ka nisur një sërë procesesh ligjore për të kontestuar mënyrat e votimit dhe manipulimet me fletëvotimet postare në disa shtete amerikane.

“Mendoj sinqerisht se kjo është për të ardhur keq. Nuk e nderon aspak atë që po lë pas. Por në fund fare, e vërteta do të pranohet me inaugurimin tim më 20 janar,” u shpreh Bajden.

Politikani demokrat tha se ka biseduar me disa shtetarë të huaj, me kancelaren gjermane, Angela Merkel, me presidentin e Francës, Emanuel Makron, dhe me kryeministrin Boris Xhonson të Britanisë për t’i siguruar se Amerika nën udhëheqjen e tij do riforcojë raportet me secilin.

Ndërsa pritet të përfundojnë numërimet në pak shtetet e mbetura, presidenti i zgjedhur tha se ai shpreson që pushteti nga republikanët te demokratët do transferohet në mënyrë të rregullt.

Sekretari i Shtetit në detyrë, Majk Pompeo, deklaroi të martën me nënqeshje se pushteti do i mbetet sërish presidentit Tramp duke shprehur bindjen se gjykatat kanë për t’i konfirmuar pretendimet e republikanëve se zgjedhjet atyre iu vodhën padrejtësisht.

Shumica arriti të martën të fitojë Senatin që e kontrollonin më parë, ndërsa demokratët kanë marrë Dhomën e ulët të Kongresit.

Bajden ka siguruar mbi 76 milionë vota ose më shumë se 50 për qind të totalit të numëruar, ndërsa presidenti Tramp rreth 72 milionë ose më pak se 48 për qind të totalit të votave.

Megjithatë, vetëm pak ligjvënës republikanë e kanë pranuar fitoren e demokratit në zgjedhjet kombëtare të javës së kaluar, ndërsa një anketë e agjencisë “Rojter” zbuloi se pothuajse 80 përqind e amerikanëve njohin Bajdenin si presidentin e 46-të të Amerikës.