Qeveria ka vendosur që të kalojë në pronësi të një kompanie private 1,470 metra katror tokë të Gardës së Republikës, pranë Parkut të Liqenit Artificial. Një vendim, i cili mund t’i hapë rrugë ndërtimit të kullave shumëkatëshe.

Për publicistin Ilir Demalia, largimi i kryeministrit Edi Rama është e domosdoshme dhe urgjente, pasi ka betonizuar dhe shkatërruar Tiranën.

Ilir Demalia: ‘’Rama dhe rilindja duhet të largohen në mënyrë të domosdoshme dhe urgjente, jo në prill, por duhet të ishte larguar për këtë dëm, për këtë katastrofë, për këtë shkatërrim që i ka bërë Tiranës, pavarësisht se ata krenohen me rilindjen urbane. Për mua është një shkatërrim dhe një model që të kujton komunizmin. I njëjti model i shtrirë në të gjithë qytetet. Nuk ka ndonjë dallim. Kanë shkatërruar trashëgiminë kulturore.”

Në një lidhje përmes Skype për ‘’RTV Ora’’, Demalia dhe se kryetari i bashkisë, Erion Veliaj është i kapur nga paratë e pista dhe nga oligarkët që pastrojnë paratë e krimit.

Sipas tij, bashkë me Ramën duhet të largohet dhe Veliaj.

Ilir Demalia:’Kryetari i Bashkisë, për këtë shkatërrim që i ka bërë Tiranës, është i kapur dhe i shtrënguar nga paratë e pista dhe nga oligarkët e lidhur me krimin dhe që pastrojnë paratë e pista të krimit. Prandaj, kjo rilindje duhet të largohet bashkë me kryetarin e bashkisë në mënyrë urgjente, sepse e shkatërruan stadiumin. Ne kemi shkatërruar vlerat e trashëgimisë që ruhen në çdo vend të botës. Kur shkatërron vlerat e trashëgimisë, shkatërron edhe vlerat e kultures. Tirana nuk ka sot identitet. Unë e kuptoj që Tirana është metropol,  por edhe në vende të tjera që janë metropole, ruhet trashëgimia dhe identiteti.”

Intervistoi në studio Beti Njuma, përgatiti për online Renato Çaushi.