Ish kryeministri Sali Berisha ka qenë i ftuari i gazetares Beti Njuma në “Intervista e Mbrëmjes” në RTV Ora.

Teksa foli për SPAK dhe punën e tij të deritanishme, Berisha u shpreh se përshëndt zbatimin e ligjit, por shtoi se Prokuroria e Posaçme ka kursyer shumë politikanë dhe qeveritarë të PS.

“Duke mbështetur çdo përpjekje për zbatimin e ligjit, gjykoj se SPAK deri më sot ka kursyer, në kundërshtim me ligjin, çdo politikan, qeveritar të PS për të cilët ka patur dosje të qarta si kristali. Si kundër, ka përdorur mekanizma për të nxjerrë jashtë juridiksionit dhe mos dënuar banda nga më kryesoret. Natyrisht, unë mbështes dhe do mbështes çdo akt të zbatimit të ligjit në këtë vend“, u shpreh ish kryeministri.

Më tej, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë e tij se pengoi dërgimin e dosjes së Plarent Dervishajt, ish anëtar i Bandës së Durrësit, në Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Si kundër, nuk mund të mos kujtoj këtu se kanë kaluar pa u vënë re, bllokimi i dosjes së Plarent Dervishit. Një nga aktet më të rënda në historinë e qeverisjes së vendit. Ishte SPAK që komunikoi urdhër-arrestin. Me bujë të madhe u njoftua se Plarent Dervishi u arrestua në Emiratet e Bashkuara. Por Beti, dosja që kishte një mekanizëm për të ndihmuar Plarent Dervishin. Dhe mekanizmi ishte, të mos dërgohej dosja në Emiratet e Bashkuara. Kush e dërgon dosjen? Janë dy institucione. Është Ministria e Drejtësisë ajo e cila, në këto raste, përfaqëson qeverinë dhe shtetin shqiptar. Pra, është de facto Edi Rama, i cili për qëllime elektorale bllokoi dosjen dhe nuk lejoi dërgimin e saj. Edhe Prokurori i Përgjithshëm, por me kompetencat e reja nuk jam i sigurtë nëse është apo jo detyrë e tij”, tha Berisha.