Në fund të intervistës së tij për RTV Ora, ish kryeministri Sali Berisha foli edhe rreth situatës me pandeminë Covid-19 në vendin tonë.

Sipas tij, vdekjet nga Covid në Shqipëri janë shumë më të larta nga sa raporton qeveria. Teksa solli edhe shifra nga vende të tjera, Berisha deklaroi se vdekjet e tepërta në vendin tonë janë 209 për 100 mijë banorë, sipas tij, të parët në botë pas Meksikës dhe Perusë.

Sali Berisha: Në rast se ju kujtohet që në fillim, kur këta komentonin numrin e vdekjeve, unë njoftoja në statuset e mia se ato janë shumë herë më të larta. E bëja këtë, jo se doja të ndjellja keq. Por se kisha informacione të shumta nga qytetarët mbi fshehjen dhe aktin e tyre. Mirëpo kaloi viti. Dhe 31 janari tregoi se Shqipëria zinte vendin e parë në botë pas Meksikës dhe Perusë, zonës së lartësisë së Andeve që kap pak oksigjen, për vdekshmërinë nga Covidi. Gjë të cilën, sot, në mbarë botën, vdekshmëria e tepërt është pranuar universalisht, treguesi më i saktë për të ndjekur ecurinë e pandemisë.

Meqënëse kanë dëgjuar çdo ditë nga mediat për katastrofa njerëzore në Itali, Britaninë e Madhe, Francë etj, ju lutem më lejoni ti informoj ata se cili është realiteti. Britania e Madhe ka patur një vdekshmëri të tepërt gjatë pandemisë me 160 të vdekur për 100 mijë banorë kundrejt Shqipërisë me 209 të vdekur për 100 mijë banorë. SHBA ka patur 138 vdekje për 100 mijë banorë. Vdekjet e tepërta. Kundrejt Shqipërisë me 209. Holanda ka patur 111 vdekje. Italia fqinje ka patur 107 vdekje. Kundrejt 209 vdekjeve që ka regjistruar Shqipëria. Franca ka patur 101 vdekje kundrejt 209 vdekjeve që ka regjistruar Shqipëria. Spanja ka patur 159 vdekje kundrejt 209 që ka patur Shqipëria. Ky është realiteti i pandemisë në Shqipëri. Suedia, që ndoqi një kurs natyral ndaj pandemisë, ka patur 140 vdekje. Për të mos thënë Gjermania që ka patur 40.

Pra, çfarë duhet të them me këtë? Në Shqipëri, përveç dy vendeve të Andeve, Covid-19 bëri kërdinë. Pse kjo? Çfarë ndodhi? Sepse në mënyrë absolute, qysh nga fillimi der sot gjithçka është bërë kokëposhtë. Gjithçka është bërë në kundërshtim me atë që duhej bërë. Dhe së fundmi, dy ditë më parë, Edi Rama nxorri fytyrën e vetë. “Nuk jemi të shqetësuar”, u tha shqiptarëve për numrat. Domethënë janë 6049 të vdekur. Janë numra. Nuk janë njerëz, nuk janë qënie njerëzore, nëna, baballarë, gjyshër, gjyshe, motra, vëllezër por numra. Nuk e shqetësojnë numrat. Një paranojak. Vetëm një diktator mund të flasë në këtë mënyrë.

Beti Njuma: Kush e ka fajin, kryeministri apo Komiteti Teknik i Ekspertëve?

Sali Berisha: Komiteti nuk ekziston. Komiteti është një fiksion. Gjithçka u drejtua nga ai Beti. Në qoftë se ju kujtohet ju tha shqiptarëve se unë jam mbizoti juaj. Jam më shumë se Zoti. Dhe dëshmi tjetër tragjike e pandemisë në Shqipëri janë vdekjet e njerëzve. Shqipëria ka humbur jetë mjekësh 9 herë më shumë se Italia. Pse ndodhën gjithë këto? Së pari, nuk u mor asnjë masë përgatitore në fillim për të parandaluar pandeminë. Nuk u sollën maska, tamponë, respiratorë para ardhjes së virusit. Së dyti, pandeminë, ai që e quan veten mbi Zotin e shqiptarëve, e shpalli fillimisht një grip të zakonshëm. Pastaj një mortje që do na digjte mishin në zi si qeni apo do shihnim male me kufoma.

Beti Njuma: As vaksina nuk po bëjmë…

Sali Berisha: Vaksinën e përdor për të mbuluar skandalet. Ndodhi skandali i Nusretit, solli kontrabandë 960 vaksina skarco. Bëri një show të shëmtuar në stadium. Mirë që nuk e bëri në sheshin Skënderbej. Dhe çfarë ka deri më sot? Nëse Serbia ka vaksinuar mbi gjysmë milion banorë, Shqipëria ka vaksinuar 460 punonjës shëndetësorë. Ndodhi skandali i Ndranghetta-s, a ndodhi dosja, erdhën shpejt e shpejt edhe 1000 vaksina. Askush nuk di kushtet. Askush nuk di gjë për to.

Lexo edhe:

Sërish shifra të larta, 1105 raste të reja, 14 viktima dhe 492 në spitale