Ilir Beqaj, i besuari i Edi Ramës në bastionin e demokratëve, ka zhvilluar takimin e parë si drejtues politik  me strukturat e mbetura socialiste të Shkodres. Në një komunikim me mediat, Beqaj tregon se pse kryeministri Rama ka menduar që ai është njeriu i duhur për të sheshuar të gjithë pakënaqësitë brenda socialistëve shkodranë.

Beqaj: Do të duhet të punoj më shumë me deputetët dhe socialistët e kahershëm dhe të rinj të PS-së së Shkodrës. Me kryetarin e partisë dhe kryeministrin kam një marrëdhënie që diskutoj sy më sy dhe më zgjat shumë pak kohë marrja e vendimit.

Beqaj nuk e fajëson drejtpërdrejt Ditmir Bushatin për gjendjen e PS në Shkodër, por kërkon të shmangë arsyen e vërtetë se pse kolegu i tij socialist nuk ndodhet në këtë takim.

Beqaj: Zioti Bushati është deputet dhe këtë nuk e vendosim ne është apo nuk është, por aktualkisht nuk ndodhet as në Tiranë dhe as në Shkodër.

Kryeministri, pak ditë më parë, deklaroi se askush nga deputetët nuk e ka vendin e sigurt në listë, ndërsa Beqaj mendon ndryshe nga kryetari i tij.

Beqaj: Bërthamën e parë kryesore të përzgjedhjes së kandidatëve e kemi nga deputetët ekzistues.

Socialistët janë të vetëdijshëm që ministrat shkarkohen dhe vendosen nga Rama, por nëse është momenti që mazhoranca të bëjë ndryshime në kabinetin qeveritar, Beqaj bën analizën e tij pragmatiste.

Beqaj: Ndryshime 7 muaj e gjysmë para zgjedhjeve nuk janë të lehta të bëhen se vetëvetiu krijojnë një lloj boshllëku edhe brenda dikastereve kur ndërrohen ministrat por ne kemi pasur rastin para katër vitesh ku i ndryshuam ministrata 3 muaj para zgjedhjeve.

Bashkia Shkodër ka mbetur kalaja e fundit e demokratëve, por Beqaj mendon se për këtë zgjidhja është tek Ilir Meta.

Beqaj:Janë çështje që i di Presidenti, zgjedhjet një ditë do të behen. Përveç Shkodrës janë 4-5 bashki të tjera.

E gjithë bota po përballet me pandeminë dhe askush nuk e di se sa do të zgjasë, por socialisti Ilir Beqaj çudit me parashikimin e tij, që edhe në 25 prill, Covid 19 do të jetë ende i pranishëm.

Beqaj: Jam i bindur se edhe me 25 prill 2021 do të vazhdojë të funksinojë në kushtet e pandemisë.