I ftuar në Ora News, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj u shpreh se vaksinat që erdhën në Shqipëri ishin prodhuar në Gjermani dhe të merresh më rrugën që mori vaksina është një humbje kohe.

Beqaj siguroi se janë kapacitetet për ruajtjen e vaksinë dhe shtoi se ISHP prej vitesh merret me import dhe shpërndarje vaksinash.

Beqaj: Në këtë moment me kaq ndjeshmëri botërore, prodhuesi është ai që është më i garantuari për zinxhirin e sjelljes së vaksinave. Vaksinat ishin prodhuar në Gjermani dhe të merresh më rrugën që mori vaksina, për mua është një humbje kohe.

Edhe sot që flasim, dikush në qeveri mund të jetë duke negociuar për të siguruar një masë tjetër vaksinash. Ne kemi krijuar një infrastrukturë që ruajnë vaksinat dhe llacët. Edhe në ISHP prej vitesh merrem me import dhe shpërndarje vaksinash.

Besoj se pjesa tjetër e vaksinave nga Pfizer do të vijnë brenda një jave. Po ashtu e di edhe që për një javë do të fillojë vaksinimi edhe në disa rrethe. Edhe Italia pretendon që ta mbarojë procesin e vaksinimit brenda 9 muajsh. Edhe sikur të kishim 5 milionë vaksina, nuk do t’i vaksinonim dot 3 milionë shqiptarë.

Beqaj komentoi edhe ngjarjen e rëndë ku një sanitare te Shefqet Ndroqi, duke u hequr si infermiere, i mori një qytetareje rreth 8 milionë lekë.

Beqaj: Ngjarja është e turpshme dhe shumë e rëndë. Edhe në kohën kur unë kam qenë ministër nuk ka pasur një ngjarje në këtë përmasë. Është një ngjarje e shëmtuar dhe cenon sakrificën që kanë bërë bluzat e bardha prej 10 muajsh. Në spitale ka një regjim shumë të fortë dhe s’mund të futen persona nga jashtë. Kjo është një situatë shumë delikate që do zgjasë edhe disa muaj. Ndoshta për raste të tilla duhet edhe një task-forcë për parandalim.