Ndërhyrja ushtarake e Turqisë në konfliktin e Libisë ka shqetësuar maksimalisht Bashkimin Europian. Përfaqësuesi i lartë për Politikën e Jashtë dhe Sigurinë Jesep Borrell e quajti problematike sjelljen e Turqisë. Ai bëri tirrje për dialog për të zgjidhur mosmarrëveshjet.

Përfshirja e Turqisë në konfliktin e Libisë dhe gjendja me imigracionin në Mesdhe e nxiti përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Europian për Politikën e Jashtë dhe Sigurinë Jesep Borrell ta quajë problematike sjelljen e Turqisë. Ai bëri tirrje për dialog për të zgjidhur mosmarrëveshjet.

Duke folur në Parlamentin Europian, Borrell tha se vetëm bashkëpunimi mund ta bëjë Mesdheun një rajon më të sigurtë dhe më të qëndrueshëm.

Në veçanti përfaqësuesi i lartë informoi Parlamentin për bisedimet intensive me Turqinë dhe Maltën, ndërsa javën e kaluar vizitoi Greqinë dhe Qipron për të shprehur mbështetjen e palëkundur të BE-së.

“Qëndrueshmëria dhe stabiliteti në Mesdhe kërkon vendosmërinë tonë të përbashkët. Konflikti i gjatë në Siri dhe në Libi prek një rajon më të gjerë dhe drejtpërdrejt Europën në lidhje me terrorizmin, krimin e organizuar dhe fluksin e pakontrolluar të migracionit,” tha Borrell.

Veçanërisht Borrell, foli për Turqinë dhe mosmarrëveshjen e Ankarasë me Qipron mbi të drejtat e disa ishujve të pabanuar në Mesdhe dhe përcaktimin e zonave ekskluzive ekonomike.

“Bashkimi Europian i dërgon një mesazh të qartë Turqisë. Bashkimi Europian është i vendosur për të mbrojtur kufijtë e jashtëm dhe të drejtat sovrane të vendeve anëtare. Ne do të vazhdojmë të punojmë gjithashtu për zgjidhjen politike të konflikteve në Siri dhe në Libi,” tha Borrell.

Pavarësisht problemeve me Ankaranë, përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë Josep Borrell, nënvizoi se Turqia mbetet një vend partner, vend kandidat për në BE dhe anëtar i NATO-s. (Leftion Peristeri)