Në Francë, ligji i ri i sigurisë i ndalon mediat të fotografojnë efektivët e policisë kur ata janë në krye të detyrës, por kjo gjë ka alarmuar Brukselin. Komisioni Europian thotë se mediat dhe gazetarët duhet të jenë në gjendje të “punojnë lirshëm”. Ekziston frika se policia mund t’i ndalojë gazetarët të dokumentojnë veprime të paligjshme.

Gazetarët dhe organizatat për lirinë e mediave të Francës po kundërshtojnë një projektligj të sigurisë, në bazë të të cilit do të kufizohet e drejta për të filmuar ose fotografuar efektivë të policisë në detyrë.

Komisioni Europian i tha agjencisë AFP se mediat duhet të jenë në gjendje të “punojnë lirshëm”.

“Komisioni nuk komenton mbi projektligjet, por thekson se në një periudhë krize është më e rëndësishme se kurrë që gazetarët të jenë në gjendje të bëjnë punën e tyre lirshëm dhe në siguri të plotë”, tha zëdhënësi i Komisionit Christian Wigand.

Të premten, parlamenti francez miratoi ndryshimet në ligjin e sigurisë, një nen i të cilit penalizon mediat për botimin e fotografive të oficerëve të policisë me arsyetimin se një gjë e tillë “dëmton integritetit fizik ose psikologjik” të tyre.

Sindikatat e medias thonë se kjo mund t’i japë policisë dritën e gjelbër për t’i ndaluar gazetarët të bëjnë punën e tyre dhe potencialisht të dokumentojnë veprimet joligjore të forcave të sigurisë.

Policia thotë se po ndeshet me një rrezik të madh gjatë kryerjes së detyrës dhe se dhjetëra policë janë plagosur pas përleshjeve me protestuesit në vitet e fundit.