Bashkimi Europian u bëri të qartë britanikëve se pavarësisht rezultatit të marrëveshjes tregtare midis dy palëve, ata do të konsiderohen si shtetas të një vendi të tretë dhe do të ndeshen me kontrolle kufitare. Në një dokument të publikuar të enjten vonë, qytetarët britanikë paralajmërohen se lejet e tyre të drejtimit nuk do të njihen më në vendet e bllokut dhe gjithashtu do të vendosen tarifa shtesë për roaming-un.

Komisioni Europian paralajmëroi Britaninë e Madhe se pavarësisht rezultatit të negociatave për marrëveshjen tregtare mes palëve, do të konsiderohet vend i tretë dhe qytetarët e saj do të ndeshen me kontrolle kufitare kur të hyjnë në vendet e bllokut ose zonës Shengen.

Gjithashtu do të nxirren jashtë funksionet pasaportat për kafshët shtëpiake dhe lejet e drejtimit të britanikëve nuk do të njihen automatikisht, por janë subjekt miratimi i secilit vend anëtar.

Gjithashtu bie edhe marrëveshja për roaming-un midis Mbretërisë së Bashkuar dhe kontinentit europian dhe në të ardhmen do të jetë në dorë të operatorëve telefonikë të Britanisë dhe vendeve të Bashkimit Europian për të vendosur tarifa ekstra për thirrjet dhe internetin.

Pas periudhës transitore pasagjerët britanikë nuk do të jenë më të mbrojtur sipas parimeve të të drejtave të konsumatorëve të BE-së kur udhëtojnë midis bllokut dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Paralajmërimi vjen përmes një dokumenti të publikuar të enjten, që bën thirrje për ndërgjegjësimin e publikut për këto ndryshime madhore që do të ndodhin midis të dy palëve në çdolloj skenari.

Dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga tregu i përbashkët do të thotë se nuk do të ketë më një kornizë të vetme rregullatore, por dy struktura të veçanta ligjore. Kjo do të thotë që për importet, kompanitë nga të dy palët do të duhet të ndërmarrin hapa për të siguruar produktet, të cilat do t’u nënshtrohen kontrolleve në përputhje me rregullat dhe standardet potencialisht të ndryshme.

Aktualisht palët janë duke diskutuar marrëdhënien tregtare që do të kenë pas përfundimit të periudhës transitore më 31 dhjetor 2020 dhe ende janë larg konsensusit.