Komisioni Europian nuk pret që ndryshimet e Kodit Zgjedhor të jenë pengesë për thirrjen e Konferencës së Parë të Negociatave. Zëdhënësja Ana Pisonero sqaroi se ndryshimet kushtetuese dhe ato të Kodit Zgjedhor nuk lidhen me rekomandimet e OSBE-ODHIR-it, që janë kusht për negociatat. Sfidë për Shqipërinë mbetet tani Gjykata Kushtetuese dhe ligji i medias.

Ndryshimet e Kodit Zgjedhor dhe dërgimi i çështjes për opinion në Komisionin e Venecias nga presidenti Ilir Meta nuk lidhen me kushtet që Shqipëria duhet të përmbushë para mbajtjes së Konferencës së Parë Ndërqeveritare për Negociatat.

Për Komisionin Europian, marrëveshja politike e 5 qershorit e plotëson kushtin që lidhet me reformën zgjedhore, të cilin Këshilli i BE-së e vendosi në mars për fillimin zyrtar të bisedimeve të pranimit.

Ky ishte komenti i zëdhënëses së komisionerit për Zgjerimin, Ana Pisonero, ndërsa u pyet në Bruksel nëse rrëzimi i dekretit të presidentit për ndryshimet e Kodit Zgjedhor do të kishte ndonjë ndikim në thirrjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare për Negociatat.

“Bashkimi Europian beson se Komisioni i Venecias do të japë një opinion për të gjitha palët mbi zbatimin e të gjitha ndryshimeve kushtetuese të miratuara nga Parlamenti. Ne presim që palët do ta marrin në konsideratë opinion e Komisionit të Venecias,” – tha Pisonero.

Prej dy ditësh, Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi i ka bërë thirrje Parlamentit që të presë opinionin e Komisionit të Venecias përpara se të votojë dekretin e presidentit për ndryshimet e Kodit Zgjedhor.

Duket se çështjet kryesore për të cilat vendet anëtare presin nga Shqipëria janë plotësimi i vendeve vakante dhe funksionalizimi i Gjykatës Kushtetuese dhe marrja në konsideratë e opinionit të Komisionit të Venecias për ligjin e medias.

Vendet anëtare janë duke diskutuar në nivel ambasadorësh kuadrin negociator për Shqipërinë dhe varianti përfundimtar i dokumentit pritet të miratohet gjatë punimeve të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme më 10 nëntor.

Pritet të shihet nëse vlerësimi pozitiv i Komisionit Europian për Shqipërinë i shprehur në raportin e progresit do të bindë të gjitha vendet skeptike, për të miratuar me unanimitet vendimin e thirrjes së Konferencës së Parë Ndërqeveitare të Negociatave apo fillimin zyrtar të rrugës së gjatë të anëtarësimit në BE.