Në një lidhje Skype për “Intervista e Mbrëmjes” në RTV Ora, analisti Artan Hoxha komentoi vizitën e kryeministrit Edi Rama në Bruksel.

Sipas Hoxhës, numri i vendeve skeptike ndaj Shqipërisë sa vjen dhe shtohet, siç shtohet edhe kushtet.

“Disa vende vazhdojnë të jenë kritike dhe skeptike me përparimin e pretenduar të Shqipërisë. Lajm i trishtë është që numri i këtyre vendeve, në vend që të vijë duke u pakësuar, ka ardhur duke u rritur. Dhe numri i çështjeve të ngritura ndër vite, në vend që të vijnë duke u pakësuar, kanë ardhur duke u ngritur. Ndaj Shqipëria në një farë mënyre ka bërë hapa pas relativë në procesin e integrimit. Ndaj burokracia e Brukselit, i qëndroj një fjale të thënë para 5-6 vitesh, që do hapë negociatat me Shqipërinë, vazhdon ti qëndrojë të njëjtës skemë ndërkohë që vendet janë të mirinformuara, e monitorojnë për ditë vendin tonë, kanë ambasadat e tyre këtu, kanë plot mjete për të marrë informacione të vërteta, të freskëta dhe në rrugë objektive ndaj dhe kanë objektiva shumë të qarta”, u shpreh Hoxha.

Sa i përket deklaratës së Joseph Borrel dhe Oliver Varhelyi për të mos kandiduar personazhe me rekorde kriminale në zgjedhjet e 25 Prillit, Hoxha u shpreh se Rama do të përdorë gjithçka për të rifituar pushtetin.

“Ne e kemi dëgjuar zotin Rama që fshihet pas perdes. Thuaj se në këtë vend nuk dihet se kush janë kandidatët. Ai do bëjë atë që kanë mundësi të bëjë: gjithçka që ka mundësi për të bërë për të fituar pushtetin. Natyrisht do ti duhet të mbajë një farë fasade më të zbukuruar se në zgjedhjet e kaluara kur kandidimi i personave me rekorde kriminale ka qenë haptazi, i drejtëpërdrejtë dhe i dukshëm. Tani do të përdorë metoda më të sofistikuara“, deklaroi ndër të tjera analisti Artan Hoxha.