Udhëheqësit e BE-së janë ende larg arritjes së një marrëveshjeje për planin e rimëkëmbjes prej 750 miliardë eurosh. Çështja kryesore është se sa pjesë këtij fondi do të shpërndahet në formën e granteve dhe sa si kredi. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha përpara samitit se “pozicionet e palëve janë ende të ndara”.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian takohen sot për herë të parë ballë për ballë, për herë të parë që kur shpërtheu pandemia e koronavirusit në mes të marsit. Ata pritet të diskutojnë për paketën e rimëkëmbjes ekonomike që kap një vlerë prej 750 miliardë eurosh.

Çështja kryesore është se sa pjesë këtij fondi do të shpërndahet në formën e granteve dhe sa si kredi. Krerët e vendeve anëtare gjithashtu duhet të bien dakord për buxhetin afatgjatë shtatëvjeçar, që arrin një vlerë prej 1.07 trilionë eurosh.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha përpara samitit se “pozicionet e palëve janë ende të ndara”.

Plani i rimëkëmbjes, i cili mbështetet nga Franca dhe Gjermania, aktualisht parasheh 500 miliardë euro grante dhe subvencione dhe 250 miliardë euro kredi. Por shtetet që njihet për politikën e tyre të kursimit, si Austria, Suedia, Danimarka dhe Finlanda, duan kontroll mbi mënyrën e shpërndarjes së parave.

Ndërsa shtetet e jugut, si Italia dhe Spanja, thonë se një gjë e tillë do ta bllokonte procesin.

“Ne po jetojmë një krizë të paparë nga pikëpamja shëndetësore dhe ekonomike, ndaj projekti ynë europian është lëkundur. Kam besim se ne do të arrijmë maksimumin e ambicieve tona dhe së bashku me kancelaren Merkel dhe presidentin Michel do të bëjmë gjithçka, sepse na duhet të arrijmë një marrëveshje”, tha presidenti francez, Emmanuel Macron para samitit.

Takimi në Bruksel pritet të vazhdojë edhe në fundjavë, por liderëve të BE-së mund t’iu duhet më shumë kohë për të arritur marrëveshjen përfundimtare. Banka Qendrore Europiane parashikon deri tani një rënie prej 8.7% të ekonomisë së Eurozonës këtë vit, për shkak të pandemisë së koronavirusit.