BE diskuton për krizën pas zgjedhjeve presidenciale në Bjellorusi

BE diskuton për krizën pas zgjedhjeve presidenciale në Bjellorusi

Kriza në Bjellorusi pas zgjedhjeve presidenciale është fokusi i takimit virtual që po mbajnë sot liderët e BE-së. Opozita kërkon mosnjohjen e rezultatit dhe hapjen e rrugës së zgjedhjeve të reja.

Udhëheqësit e Bashkimit Europian do të kërkojnë përsëritjen e zgjedhjeve në Bjellorusi dhe tërheqjen e presidentit Aleksandër Lukashenko nga tentativa për marrjen me dhunë të pushtetit.

Përpara konferencës virtuale të mesditës, ishin grupimet më të mëdha politike të kontinentit që deklaruan të hënën se nuk e njihnin Lukashenkon si fituesin e zgjedhjeve presidenciale.

Ky i fundit mori më shumë se 80 % të votave kundrejt 10 % të rivales Svetlana Tikanovskaja, por sipas Brukselit, gara nuk ishte e lirë dhe as e drejtë e transparente.

Vetë Tikanovskaja i bëri apel BE-së të mbajë anën e qytetarëve, të cilët prej të dielës së 9 gushtit dalin paqësisht në rrugë për të protestuar regjimin 26-vjeçar të Lukashenkos.

"Ju kërkoj të mos i njihni këto zgjedhje të manipuluara. Zoti Lukashenko ka humbur të gjithë legjitimitetin në sytë e kombit dhe botës. Unë kam propozuar një tranzicion paqësor të pushtetit, për të mbajtur zgjedhje presidenciale të reja dhe demokratike nën vëzhgimin ndërkombëtar."

Politikania 37-vjeçare që u arratis nga vendi javën e kaluar për arsye sigurie, urdhëroi të martën ngritjen e një këshilli që do dialogojë me forcat politike në vend.

Ky hap u denoncua si përpjekje për grusht shteti nga presidenti Lukashenko.

"Në fillim formojnë një lloj selie opozitare për tranzicionin e pushtetit, dhe pastaj na kërkojnë që t'ua kalojmë atyre pushtetin. Kjo nuk ka dyshime, është një tentativë për grusht shteti dhe do ndeshet siç edhe parashikohet."

Lukashenko akuzoi qeveritë e vendeve perëndimore europiane se disa prej tyre nuk e dinë ku shtrihet Bjellorusia, dhe se ai ka urdhëruar njësitë ushtarake të qëndrojnë në gatishmëri lufte në kufirin perëndimor të vendit pasi i druhet tensioneve me të huajt.

Në ditët e fundit, presidenti i Këshillit Europian, presidenti francez, Emanuel Makron, dhe kancelarja Angela Merkel kanë zhvilluar telefonata me kreun e shtetit rus, Vladimir Putin, dhe kanë apeluar për mospërshkallëzimin e krizës dhe përfshirjen e palëve në dialog.

Bota Lajme BE manipulim bjellorusi krize pas zgjedhore presidenciale grusht shteti

EMISIONET