Qeveria shqiptare mori borxh 15 milionë euro për të përballuar pandeminë COVID-19. Banka Botërore në përgjigje të kërkesës së qeverisë miratoi një financim prej 15 milionë Eurosh për Shqipërinë që të ndihmojë vendin të parandalojë, zbulojë dhe të reagojë ndaj pandemisë së COVID-19 (koronavirusit) si dhe të fuqizojë sistemin kombëtar të gatishmërisë së shëndetit publik. Financimi mbulon një gamë ndërhyrjesh për të fuqizuar shërbimet e shëndetit publik dhe për të ruajtur jetët e njerëzve.

Në njoftimin për shtyp theksohet se “në mënyrë që të ndihmojë për të zbuluar dhe parandaluar përhapjen e COVID-19, projekti do të mbështesë testime masive të popullsisë; sigurimin e pajisjeve për të fuqizuar zbulimin dhe gjurmimin e kontakteve, investime për pajisje për kujdesin shëndetësor dhe për laboratorët publikë, pajisje mbrojtëse për  personelin mjekësor, rritjen e numrit të shtretërve në kujdesin intensiv si dhe fuqizimin e  kapaciteteve për vlerësimin dhe modifikimin e kërkesave për distancimin fizik. Projekti do të trajnojë staf mjekësor për kujdesin që duhet treguar për rastet me COVID-19 dhe për parandalimin e infeksionit. Tani që Shqipëria ka hyrë në fazën komplekse të rihapjes së ekonomisë, projekti do të ndihmojë që të intensifikohet më tej komunikimi me publikun”.

Ndërsa projekti përqendrohet në fuqizimin e reagimit emergjent të sektorit shëndetësor ndaj COVID-19 (përfshirë edhe valë të tjera të pandemisë së COVID-19), në planin afatmesëm dhe afatgjatë projekti do të mbështesë përmirësimin e sistemit kombëtar të shëndetit publik.

Menaxherja e Zyrës së Bankës Botërore për Shqipërinë Maryam Salim u shpreh se BB do të qëndrojë në krah të Shqipërisë.

Maryam Salim: Banka Botërore qëndron në krah të popullit shqiptar në këtë krizë të paprecedentë. Do të doja të vlerësoja përkushtimin e jashtëzakonshëm të punonjësve të shëndetësisë në Shqipëri për të shpëtuar jetët e njerëzve dhe inkurajoj fuqishëm qytetarët të zbatojnë distancimin social dhe masa të tjera kufizuese që synojnë të minimizojnë ndikimin e pandemisë” 

Duke pasur parasysh pasigurinë e  ecurisë së pandemisë, projekti është hartuar në mënyrë që të jetë fleksibël dhe të plotësojë nevojat që do të shfaqen, ndërsa evoluojnë edhe njohuritë për epidemiologjinë e COVID-19.

Në qershor të këtij viti qeveria permes nje projekti të paraqitur në BB kërkoi një borxh prej 16. 2 miliarde dollare. Institucioni që do të marrë borxhin është ministria e Financave ndërsa ministria e Shëndetësisë do e zbatojë.