Policia gjeorgjiane ekzekutoi të martën urdhrin për arrestimin e kreut të partisë më të madhe opozitare.

Zyrat e “Lëvizjes së Bashkuar Kombëtare” u bastisën në mëngjes nga dhjetëra forca policie.

Përdorimi i gazit lotsjellës dhe përleshjet fizike mes forcave të rendit e anëtarëve të partisë lanë disa të lënduar.

41-vjeçari, Nikanor Melia, akuzohet si organizator i protestave të dhunshme opozitare të 2019-ës.

Atij i ishte kërkuar të monitorohej me byzylyk elektronik, por pas zgjedhjeve të nëntorit të kaluar e hoqi pajisjen publikisht në formë proteste me pretendimin se ato ishin manipuluar.

“Sapo pamë arrestimin e tij me pretekstin më cinik dhe me instrumentet më të turpshme. Është detyra jonë si qytetarë dhe si shoqëri që t’i rezistojmë kësaj sfide të shtetit me protesta paqësore por intensive, në rrugë.”– thotë  Giga Bokeria

Melia qëndronte i izoluar në selinë e partisë që kur gjykata vendosi më 17 shkurt për arrestimin e tij.

Ish-kryeministri, Giorgi Gaharia, kërkoi javën e kaluar që vendimi të mos ekzekutohej, pasi rrezikohej stabiliteti i vendit.

Gaharia dha dorëheqjen për këtë arsye, për t’u zëvendësuar një ditë më parë nga ministri i Mbrojtjes dhe ish-kryeministri, Irakli Garibashvili.

Opozita gjeorgjiane thotë se ky i fundit kontrollohet po nga oligarkët, përkatësisht nga ish-kryeqeveritari miliarder, Bidina Ivanishvili.