Përgjatë muajve mars-gusht bashkitë e vendit rezulton të kenë zhvilluar 429 prokurime të shoqëruara me flamurin e kuq, që simbolizon parregullsi. Sipas Open Data rekordin e mban Bashkia e Tiranës, ku evidentohen ndër të tjera dhe raste kur tenderi është shoqëruar me dy sinjalizime. 

Që prej muajit mars kur shpërtheu pandemia e koronavirusit e deri në fund të gushtit bashkitë e vendit rezulton të kenë zhvilluar 429 procedura të shoqëruara me flamur të kuq.

Sipas Open Data vendosja e kësaj shenje në krye të prokurimit tregon një ekspozim apo rrezik të mundshëm për sjellje të papajtueshme me ligjin ose jo-etike të biznesit.

Nga analiza e të dhënave rezulton se në 256 kontrata të zhvilluara përgjatë kësaj periudhe ka pasur mungesë konkurrence, ndërsa në 173 raste autoriteti ka skualifikuar të gjitha kompanitë pjesëmarrëse përveç fituesit.

Bashkia e Tiranës rezulton të ketë zhvilluar numrin më të lartë të këtyre tenderave ku numërohen 75 të tilla në të cilat është konstatuar mungesë gare.

Në fakt, në këtë bashki nuk mungojnë as rastet kur një tender është shoqëruar me dy shenja të flamurit të kuq duke evidentuar kështu se aty është kryer shkelje.

Një rast i tillë është ai për kontratën me objekt Dezinfektimi i sipërfaqeve publike, stola, kosha, lulishte etj me një fond limit prej 5 milionë lekësh, ku përveç mungesës së konkurrencës rezulton se procedura ë ndjekur është ajo përmes negocimit pa shpallje paraprake. Dhe bëhet fjalë sërish për procedurë të zhvilluar në kryeqytet.

Sipas të dhënave, e dyta në renditje vjen Shkodra me 30 sinjalizime në krye të prokurimit, ndjekur nga pas nga Elbasani me 19, Gramshi me 15 dhe Bulqiza me 14.

Shijaku, Konispoli, Përmeti dhe Tropoja janë më të rregullta në këtë procedure me nga 1 rast të dyshimtë.

Mediet vazhdimisht kanë ngritur problemin e procedurave që ndiqen për zhvillimin e tenderave por pavarësisht kësaj, ende nuk ka asnjë hetim nga institucionet përkatëse qoftë nga SPAK apo prokuroritë e rretheve.

Lexo edhe: Shiu përmbyt Tiranën