Pedagogu dhe aktivisti i Vetëvendosjes Hysamedin Feraj ishte i ftuari i gazetarit Sebastian Zonja në Ora News.

Sa i përket procesit zgjedhor të 14 shkurtit në Kosovës, me rezultatet që dolën shumë shpejt dhe me humbësit që uruan fituesin dhe asaj që ndodh zakonisht me proceset zgjedhore në Shqipëri, Feraj u shpreh se në Kosovë populli më në fund doli në esencën e tij.

“Ndryshim i rëndësishëm është se në Kosovë e realizoi veten sipas përkufizimit të vet. Sipas esencës së vet, si sovran i cili vendos për qeverisjen që do të ketë. Kur them është një popull sipas esencës së vet them se është vendosur mbi natyrën e njeriut, që është me qenë politik e kjo do të thotë me qenë moral. Me pas aftësinë ose gjuhën, siç thoshte Aristoteli, me dallu të keqen nga e mira dhe të padrejtën nga e drejta. Pas një përvoje 20-vjeçare padrejtësish dhe të këqijash në Kosovë populli u kthye te natyra e vet e mirëfilltë, të qënurit politikë“, tha Feraj.

I pyetur mbi deklaratën e ministrit për Diasporën Pandeli Majko se, ideja e bashkimit me Kosovën është një ide e vjetër, Feraj deklaroi se, ka disa “futuristë” që e lidhin idenë me shekullin kur është formuluar.

Hysamedin Feraj: “Unë gjithmonë i kam qëndruar idesë së bashkimit Shqipëri-Kosovë. Ky është i gjithë përbashkuesi i qëndrimeve dhe aktiviteteve të mia, që nga adoleshenca e deri më sot.

Ka një problem në pikëpamje me ata që quheshin “intelektualë”. Me paraqit ose me përfaqësu një farë futurizmi shekullar. Këta futuristë për një kohë të gjatë kanë ngulur këmbë se kjo ide, e bashkimit kombëtar dhe e shteteve kombëtare, i takon shekullit 19-të. Ndërsa Majko thotë se i takon shekullit të 20-të. Se ai thotë shekullit të kaluar. Tani jemi në shekullin 21. Kështu që ka një përpjekje, që do ta quaja majtiste, që vlerën e ideve ta vlerësojnë nga shekulli në të cilin janë formuluar. I bie të themi se idetë e Krishtit nuk kanë asnjë vlerë se i takojnë shekullit të parë, idetë e Muhamedit gjithashtu nuk kanë vlerë se i takojnë shekullit të gjashtë. Idetë e Kantit nuk vlejnë asgjë, kuptohet, se i përkasin shekullit 18. Nëse vlefshmëria e ideve vlerësohet nga koha kur janë artikuluar është qëndrim absurd se idetë mund ta ruajnë fuqinë e tyre pavarësisht shekullit kur janë formuluar.

Kemi edhe ata futuristë që thonë se idesë së bashkimit nuk i ka ardhur koha. Dhe këta vazhdimisht e shtyjnë në një të ardhme duke thënë se sot nuk janë rrethanat, sot nuk e lejon e drejta ndërkombëtare. Kanë krijuar një sërë pseudo-argumentesh për të justifikuar të qënurit kundër. Kjo është trashëgimi edhe e shkollës sonë. Universitetit, akademive, edukimit shkollor shumëvjeçar, gati gjatë gjithë shekullit 20 e deri ku pyetja mbytëse ka qenë “pse nuk duhet të bashkohemi?”.

DEKLARATA E MAJKOS

“Unë mendoj se z. Kurti ka vetëm një prioritet, të drejtojë si shtetar dhe kryeministër shtetin e Kosovës, nuk besoj se i bëjnë punë histori të natyrave të tilla. Nuk ka pse krijon lidhje të natyrave të çuditshme me ide që kanë ekzistuar në shekullin e kaluar, e kam fjalën në vitet ’80 dhe ’90 për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, jo se unë nga pikëpamja emocionale ndihem ndryshe nga z. Kurti, por unë mendoj se diskutime të natyrave të tilla, do të krijonin probleme me aktet ndërkombëtare që garantojnë stabilitetin e Kosovës. E kam fjalën për akte që garantojnë prezencën e NATO-s në Kosovë dhe paketën Ahtisari”