Tirana kampione për borxhet, detyrimet e prapambetura arrijnë në 1.9 mld lekë

Tirana kampione për borxhet, detyrimet e prapambetura arrijnë në

Bashkia e Tiranës ka vijuar të rrisë stokun e detyrimeve të prapambetura edhe përgjatë tremujorit të dytë të këtij viti duke zotëruar rreth 22.2% të totalit.

Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Financave Vendore, borxhi është thelluar me rreth 16 milionë lekë krahasuar me tremujorin e parë të vitit.

Në fund të muajit qershor, stoku i detyrimeve në bashkinë e kryeqyetit arriti në 1.9 miliardë lekë.

Nga të dhënat rezulton se bashkitë nuk kanë bërë progress për shlyerjen por përkundrazi, kanë thelluar detyrimet.

Në fund të muajit qershor vlera e stokut të detyrimeve të prapambetura për 61 bashkitë e vendit arriti në rreth 8.7 miliardë lekë.

Diferenca është rreth 629 milionë lekë krahasuar me tremujorin e parë të vitit dhe me 570 milion lekë krahasuar me fundin e vitit 2019

Pas kryeqytetit, në vendin e dytë renditet Bashkia Kavajë me rreth 846 milionë lekë, e ndjekur më pas nga bashkia Vorë me rreth 711 milionë lekë.

Bashkia Patos, ndryshe nga të gjitha njësitë e tjera të vetëqeverisjes vendore nuk ka regjistruar asnjë detyrim të mbetur.

Ministria e Financave raporton se në total stoku është rritur me rreth 0.6 miliardë lekë në gjashtëmujorin e parë të vitit.

Stoku më i madh me rreth 52% të totali është regjistruar nga grupi investime, ndjekur nga pas nga “Mallra dhe Shërbime” me rreth 22% dhe “Vendime Gjyqësore” me rreth 14%.

Sipas informacionit të njësive të vetëqeverisjes vendore, rritja e stokut të detyrimit të bashkive në total ka ardhur kryesisht si rrjedhojë e situatës së vështirë financiare të krijuar nga pandemia COVID-19.

Vendi Lajme bashkia e tiranes borxhe detyrime te prapambetura

EMISIONET