Kryetari i PD, Lulzim Basha është duke zhvilluar një bashkëbisedim me studentët në Qytetin Studenti.

Gjatë fjalës së tij, lideri i opozitës u shpreh ndër të tjera se situata e pandemisë është keqmenaxhuar duke shtuar se kryeministri Edi Rama ka treguar papërgjegjshmëri ndaj studentëve.

“Para dy ditësh im atë kishte ditëlindjen dhe nuk ka gjë më të dhimbshme se sa ta urosh në distancë. Masat për studentët duhet të ishin marrë më parë pasi kjo situatë dihet. Mësimdhënia  si në çdo vend tjetër të rajonit të mos ndërpritej. Prej 5 javësh kemi kërkuar infrastrukturën për mësimin online”, tha ndër të tjera Basha.

Takimi i Bashës vjen në një ditë kur duhej të niste viti i ri akademik, por për shkak të shtimit të rasteve me Covid-19, Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi të mbyllte auditorët e universiteteve duke i rihapur rrugë edhe një herë mësimit online.

Pak minuta më parë, studentët mbyllën protestën para Ministrisë së Arsimit pikërisht për të kundërshtuar mësimin online dhe mbylljen e universiteteve.