Kryetari Basha gjatë komunikimit me studentët tha se sfida më e madhe e qeverisë së tij pas 25 prillit është frenimi i ikjes së të rinjve nga vendi dhe kthimi i atyre që studiojnë jashtë.

Lulzim Basha: Faktet flasin vet, 75% e të rinjve duan të largohen nga vendi. 94% e atyre që studiojnë jashtë nuk duan të kthehen në Shqipëri. Të dyja këto më dëshpërojnë jashtë mase. E vërteta është fare e thjesht, që të fitojë rinia shqiptare, që të fitojë Shqipëria, duhet të largojmë Edi Ramën. Njeriun që ka marrë peng vendin dhe fatet e tij, njeriu që ka marrë peng fatet e rinisë shqiptare.

Kreu i opozitës përsëriti angazhimin e tij për të abroguar ligjin e Ramës për Arsimin e Lartë dhe në vend të tij, hartimin e një ligji nga pedagoët dhe ekspertët më të mirë konsultuar me vetë studentët.

Lulzim Basha: Ligji për arsimin e lartë ishte vetëm paralajmërimi i parë në betejën e padrejtë midis një qeverie dhe një kryeministri, i cili sheh tek rinia kërcënim ndaj pushtetit absolut, arrogant dhe të korruptuar. Ligji i arsimit të lartë u konceptua si një ligj për t’iu nënshtruar, t’ju skllavëruar, për t’ju depersonalizuar ju, universitetet dhe pedagogët. Ndaj dhe akti i parë në programin tonë, i cili do të marrë jetë pas zgjedhjeve të 25 prillit, është abrogimi i ligjit për arsimin e lartë dhe një ligj i ri i përmasave dhe parimeve europiane, i ndërtuar me ekspertizën më të mirë të ekspertëve tanë, të pedagogëve dhe ndihmën tuaj në dialog me ju dhe shoqatat e studentëve.

Basha apeloi të rinjtë, studentët dhe gjithë shqiptarët që të bëhen bashkë që me 25 prill të bëjnë të mundur ndryshimin që pret dhe meriton Shqipëria.