Opozita e Bashkuar shprehet pro hapjes së listave 100% me kusht që koalicionet parazgjedhore të mbeten të pandryshuara, nga formati që eksizton aktualisht.

Qëndrimi u konfirmua nga kryetari i PD Lulzim Basha pas takimit me aleatët, i cili u shpreh se ka ngarkuar Oerd Bylykbashin për të bërë propozimin në mbledhjen e sotme të Këshillit Politik.

Lulzim Basha: Dua të përshëndes qëndrimet e ndërkombëtarëve ditën e  djeshme të cilat bëjnë të qartë se rruga e konsensusit është rruga e vetme për të ecur përpara në çdo çështje që ka të bëjë me zgjedhjet dhe natyrisht me procesin e integrimit europian. Këto janë të lidhura që prej marsit të këtij viti qoftë në aspektin e reformës por edhe në zbatimin e asaj që biem dakord bashkarisht. Opozita e bashkuar është e vendosur të refuzojë çdo propozim unilateral për ndryshime kushtetuese që prekin çështje lidhur me zgjedhjet.

Tryeza e këshillit politik, grupi i punës i këshillit politik është vendi i vetëm ku mund dhe duhet të diskutohet në raport me një numër çështjesh ende të pazgjidhura që kanë të bëjnë me rekomandimet prioritare të OSBE-ODIHR qëe nga shitblerja e votës, presioni ndaj administratës publike e me radhë. Por duke qenë se PS dhe kryetari i saj kanë ndryshuar qëndrim disa herë para dhe pas 5 qershorit dhe tani mendojnë se po u shesin shqiptarëve dashurinë për listat e hapura si shkakun për të ecur drejt ndryshimeve të njëanshme dua t’ju njoftoj me vendimin e opozitës së bashkuar. Ne kemi mandatuar sot përfaqësuesit tanë në grupin e punës të këshillit politik, Oerd Bylykbashin dhe Petrit Vasilin që sa i takon kësaj çështje të paraqesin qëndrimin e opozitës së bashkuar si vijon:

Opozita e bashkuar do të mbështesë hapjen 100% të listave me kushtin që koalicionet të mos ndryshojnë por të mbeten si janë sot dhe për rrjedhojë dhe shpërndarja e mandateve të vazhdojë të përllogaritet si sot me formulën aktuale të koalicioneve zgjedhore. Ky propozim do të parashtrohet sot në tryezën e këshillit politik dhe është i drejtë për më shumë se një arsye. Nuk mund t’i thuash shqiptarëve po hap listat dhe pjesën fituese ta zgjedhë prapë partia.

Basha u shpreh se me 1/3 e listave, qytetarët nuk do mund të zgjedhin, dhe ky propozim për të, është një mishmash nga kryeministri për të prishur koalicionin opozitar.

Kryedemokrati tha gjithashtu se ai është një mbështetës i sistemit mazhoritar me dy dhoma, por për hir të konsensusit, po hidhet ky hap për hapjen 100% të listave.

Lulzim Basha: ”Në 34 deputetë të Tiranës, i bie që 11 t’i zgjedhë partia dhe 1 ose 2 qytetarët. Por imagjinoni qarqet e tilla si Dibra, Kukësi, Berati, Gjirokastra, ku realisht qytetarët nuk do kenë mundësi të zgjedhin fare, sepse 1/3 e zgjedh partia, do të thotë që qytetarët nuk do mund të zgjedhin. Duket qartë që është një mishmash, i gatuar nga Edi Rama me synimin e prishjes së koalicionit opozitar.”

”Tentativë që e ka bërë politikisht, dhe tashmë do që ta bëjë me anë të ndryshimeve të njëanshme kushtetuese. Për këtë opozita është e qartë, kjo është diçka e papranueshme, dhe përbën një kërcënim real për paqen, stabilitetin, demokracinë dhe natyrisht për integrimin e vendit. Unë prej kohësh kam qenë partizan i një tjetër sistemi, atij mazhoritar, me dy dhoma, por për hir të konsensusit, po hedhim këtë hap për propozimin e hapjes 100% të listave, me kushtin që koalicionet të mbeten siç ekzistojnë sot në ligj, po ashtu dhe formula e shpërndarjes së mandateve.”

Lulzim Basha pas takimit me aleatët