Prej dy javësh Kryetari i PD Lulzim Basha vijon turin e takimeve në Shqipëri me bizneset, fermerët dhe me turizmin familjar. Gjatë vizitës në Pogradec, lideri i opozitës zhvilloi takime me biznesin e vogël, i cili pasi dëgjoi shetësimet e tyre, ai u shpreh se ky qytet po kalon një krizë të madhe ekonomike.

”Mezi i shesin ato produkte. Shpeshherë i shesin në kosto ose nënkosoto, pastaj ata që ua tërheqin prodhimin nuk kanë as para për tu dhënë. Kjo është kriza ekonomike. Kriza e cila e ka burimin te dështimet e njëpasnjëshme dhe keqalukimet e financave publike. Paratë nuk janë për shqiptarët, mblidhen nga xhepat tuaj por paratë shkojnë te një grusht oligarkësh.”

Por për ta nxjerrë vendin nga kriza, Lulzim Basha tha se PD ka një plan të detajuar.

”Këtë kemi parasysh me taksën e sheshtë 9% mbi biznesin mbi 140 milion, me taksën 0.5% të xhiros për të gjithë biznesin e vogël nën 140 milion lekë. Këtë kemi parasysh me karantinën e inspekoriateve në vitin e parë të qeverisjes sime të ardhshme. Një vit karantinë do të thotë, për një vit nuk do të shikojnë inspektor me sy derisa ne të kemi ligjin, dhe zbatimin e ligjit në nivele europiane.”

Kreu i PD kritikoi keqmenaxhimin e situatës me Covid, pasi sipas tij qeveria është dorëzuar.

”Ju lutem merrni masa maksimale, përmes distancimit, përmes maskave në vende të mbyllura, dhe përmes higjienës. Qartësisht qeveria është dorëzuar, nuk ka asnjë plan, asnjë strategji.”

Për Bashën, Kosova e ka menaxhuar më mirë situatën financiare se vendi ynë, madje plani i tyre ekonomik do t’u vijë në ndihmë të gjithë qytetarëve të prekur nga kjo krizë, ndryshe nga ajo që ka bërë qeveria shqiptare.