Pak minuta pas konferencës së kryeministrit Rama me gazetarët, ka dalë në konferencë për shtyp edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha,

Basha tha se sot Rama në esencë e ka prishur marrëveshjen e 5 qershorit.

Basha: Para pak minutash kemi pasur njeriun më të tmerruar nga zgjedhjet e ardhshme në 30 vite pluralizëm. Tmerri dhe ankthi për humbjen e pushtetit me zgjedhje të lira dhe të ndershme ka kohë që tregohet, me gjuhën e tij dhe me veprimet e tij, por sot ka arritur në një majë papërgjegjshmërie.

Në esencë Rama ka prishur sot marrëveshjen e 5 qershorit, në të cilët u investuan forcat politikave me ndërmjetësimin e BE-së dhe SHBA-së. Në këtë marrëveshje ishte miratimi me konsensus i reformës zgjedhore që do të plotësonte një kusht  për hapjen e negociatave. Ne si opozitë në këto 7 muaj kemi bërë gjithçka për të arritur një marrëveshje konsensuale.

Edi Rama nuk donte depolitizimi të administratë zgjedhore, por donte t’i nxirrte komisionerët e opozitës dhe t’i zëvendësonte me njerëzit e kontrolluar e të shantazhuar, ashtu sikurse kanë treguar edhe përgjimet e BILD.

Basha shtoi se Rama nuk do listat e hapura, por do që të ndalojë koalicionet parazgjedhore, pasi ka frikë nga to.

Basha: Diskutimi i sotëm nuk është për listat e hapura është për koalicionet parazgjedhore që prej fillimit të demokracisë kanë qenë një realitet politik e sanksionuar në Kushtetutë. Ky është halli i vërtetë i Edi Ramës. Sot ranë edhe dorezat edhe maskat. Rama ka vetëm një tmerr dhe frikë, zgjedhjet me koalicionin opozitar përballë. Maskat ranë se kishte vënë si alibi një grup njerëzish që nuk përfaqësojnë asnjë nga partitë politike të opozitës, njerëz që në këtë sallë nënshkruan heqjen e mandateve dhe më pas u blenë si gjë e gjallë me para të thata në dorë, leje ndërtimi dhe premtime për tu nxjerrë njerëz nga burgu. Ishin mall i blerë nga Edi Rama.

Nuk ka budalla ta besojë se Edi Rama i do listat e hapura, Edi Rama është i tmerruar nga listat e hapura. Kur e shtruam ne diskutimin për listat e hapura akoma në kohë, apo sistemin mazhoritar nuk patën asnjë përgjigje. Në fakt vetë Edi Rama dhe sejmenët e tij kryesorë dolën hapur kundër listave të hapura. Problemi në Shqipëri nuk është sistemi por bashkëpunimi i krimit me politikën. Pa zgjidhur këtë problem çdo sistem do të dështojë.

Sipas Bashës, nëse Rama do të donte vetëm listat e hapura kjo mund të zgjidhej me ndryshime në kodin zgjedhor pa prekur Kushtetutën.

Basha: Një sistem me lista të hapura apo çfarëdo lloj sistemi tjetër sakohë në Shqipëri nuk shkëputet lidhja midis politikës dhe krimit nuk përbën garanci për përfaqësimin e qytetarëve shqiptarë por përbën garanci ata që kanë mjaftueshëm  para dhe muskuj kriminalë për të vendosur jo më të mirët por më të nënshtruarit në parlament. Një përzierje fatale kriminelësh dhe oligarkësh. Nëse Edi Rama do të kishte interes për të diskutuar për listat e hapura nuk do ta linte për një pazar fund korriku që OSBE e ka hedhur poshtë dy ditë më parë si në kundërshtim flagrant me praktikat e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.Nuk mund të ketë ndryshime në sistemin zgjedhor një vit para zgjedhjeve.Shqipëria nuk mund të jetë peng i tmerrit dhe frikës së Edi Ramës. Marrëveshja e 5 qershorit që ka bekimin e faktorit ndërkombëtar është e qartë: Nuk ka konsensus për ndryshimin e sistemit. Jo se nuk deshëm ne por Rama u fut në këtë marrëveshje me një qëllim, kapjen e komisioneve zgjedhore. Për kodin zgjedhor duhet konsensus, për Kushtetutën nuk duhet konsensus, këtë tha me pak fjkalë. A ka budalla që e beson? Nëse Edi Rama është për lista të hapura nuk ka nevojë për ndryshime kushtetuese se bëhet ndryshimi në kodin zgjedhor. E vetmja arsye pse kërkon ndryshim kushtetues është të heqë koalicionet parazgjedhore. Motivi i saj është tmerri i një frikacaku nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme.