Kryetari i Partisë Demokratike dhe lideri i Opozitës së Bashkuar Lulzim Basha ka zhvilluar në ambjentet e selisë blu një takim me aleatët.

Burime për Ora News shprehen se, gjatë mbledhjes së aleatëve është diskutuar mbi ndryshimet kushtetuese që mazhoranca do që t’i reflektojë në Kodin Zgjedhor, ndërkohë Opozita e Bashkuar këmbëngul në faktin që koalicionet parazgjedhore të mos hiqen, ndërsa listat të jenë 100% të hapura.

Ndërkohë po sot, u mbajt mbledhja e rradhës e Këshillit Politik.

Në takim opozita u paraqit me kërkesën për ti kërkuar interpretim OSBE-ODIHR për të paktën pesë pika.

1. A janë dispozitat në fuqi të Kodit Zgjedhor në lidhje me mekanizmin e koalicioneve zgjedhore dhe formulën përkatëse për ndarjen e mandateve në përputhje me standardet ndërkombëtare?

2. A e pengon mekanizmi në fuqi i koalicioneve zgjedhore dhe formula përkatëse për ndarjen e mandateve, futjen e listave të hapura? Në rast se legjislacioni miraton listat e hapura dhe mekanizmi ekzistues i koalicioneve zgjedhore si dhe formula e përkatëse për ndarjen e mandateve për koalicionet mbeten kështu siç janë aktualisht në fuqi, a do të ishte legjislacioni përkatës shqiptar në përputhje me angazhimet e OSBE-së?

3. A mund njëra palë të ndryshojë rregullat themelore që rregullojnë konkurrencën zgjedhore, pasi ka filluar procesi zgjedhor, dhe vetëm 6 muaj para datës së zgjedhjeve? Sa e rëndësishme është qëndrueshmëria e legjislacionit zgjedhor dhe njohja e ligjit nga konkurrentët zgjedhorë përpara zgjedhjeve, për cilësinë dhe besueshmërinë e zgjedhjeve?

4. Nëse rregullat ndryshohen në mënyrë të njëanshme dhe shumë afër zgjedhjeve për t’i dhënë përparësi partisë që ka bërë ndryshimet, a mund të prishin apo të ndikojnë ndryshime të tilla në parimet e stabilitetit të ligjit, sigurinë ligjore dhe fushën e barabartë të lojës, të cilat janë thelbësore për të respektuar angazhimet e OSBE-së për zgjedhje demokratike?

5. Duke pasur parasysh pozicionet e ndryshme, cila do të ishte një zgjidhje e pranueshme për të dy palët, në përputhje me angazhimet e OSBE-së dhe standardet e tjera evropiane për zgjedhjet demokratike?

Përgjigja juaj në kohë ndaj çështjeve të mësipërme vlerësohet shumë dhe është shumë e rëndësishme për të adresuar këtë mosmarrëveshje me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme që do të krijonte një klimë besimi të qytetarëve në një proces zgjedhor demokratik”.

Kujtojmë këtu se, marrëveshja e 14 Janarit 2020, e nënshkruar nga të dyja palët, parashikon që partitë në Këshillin Politik të kërkojnë konsensus për çështjet e reformës zgjedhore dhe në rast se kjo nuk është e mundur, palët do të kërkojnë mendimin e ekspertëve të OSBE / ODIHR. /Ora News