Demokratët kanë vendosur të hapin dyert dhe të mirëpresin këdo që ka dhënë një kontribut në Partinë Demokratike, edhe të qejfmbeturit apo ata që nuk kanë kursyer zërat kritik.

Nga Shkodra sekretari i përgjithshëm Gazmend Bardhi deklaroi se është momenti për t’i kthyer mbështetjen demokrateve, mbi të gjitha për Shqipërinë.

Gazment Bardhi: ”Nëse çdo individ me kontribut në Partinë Demokratike ka objektiv të vetin të kthejë demokratët në pushtet, apo t’i kthejë demokratëve besimin që ka marrë prej tyre ndër vite, sigurisht që e ka më shumë sesa detyrim. Një përfaqësues politik në të shkuarën i PD-së, ka qenë në ato pozicione për shkak të mbështetjes që ka marrë nga demokratët e zakonshëm. Fakti që një individ humbet një pozicion të caktuar përfaqësimi, nuk nënkupton dhe nuk duhet të nënkuptojë në asnjë rast braktisjen e demokratëve. Apeli im dhe thirrja ime është që kushdo ka marrë mbështetje nga demokratët, është momenti t’i kthejë mbështetje demokratëve për Shqipërinë mbi të gjitha por edhe për Partinë Demokratike.”

Nëse kjo ftesë përfshin edhe emrin e Jozefina Topallit, një prej zërave me kritik, Bardhi kujton se ish numri dy i partisë ka kontributin e saj në këtë forcë.

Gazment Bardhi: ”Padiskutim. Zonja Topalli është anëtare e Këshillit Kombëtar të PD-së. Ka qenë për 8 vite kryetare e parlamentit. Është një zë që ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në Partinë Demokratike, por ka marrë mbështetje të jashtëzakonshme nga demokratët dhe PD.”

Bardhi përsëriti edhe një herë thirrjen e tij ndaj Kuvendit që të miratojë draftin për reformën zgjedhore, ndërsa nuk kurseu akuzat ndaj mazhorancës.

Gazment Bardhi: ”Dakordësia e 5 qershorit është në Kuvend. Unë gjej rastin të ripërsëris thir që Kuvendi i Shqipërisë të mos vonojë asnjë sekondë më tej finalizimin, miratimin e ndryshimeve të propozuara me konsensus mes forcave politike. Nuk është momenti për të bërë lojëra politike, nuk është momenti për provokime ndaj opozitës, është momenti të ngrihjet Kuvendi në lartësinë e detyrës dhe t’i japë një shtysë inegrimit.”

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazmend Bardhi ishte në Shkodër në një seri takimesh që po zhvillohen me strukturat për propozimet për kandidatët për deputetë.