Banorët në Durrës refuzojnë rrugën elektorale, përplasen me punonjësit e Bashkisë

Banorët në Durrës refuzojnë rrugën elektorale,

Në Nish-Tulla të Durrësit disa banorë kanë refuzuar që Bashkia të hapë një rrugë mbi tokat e tyre. Ata thonë se institucionet po cënojnë pronën private, ndërsa shtojnë se gjithçka po bëhet për shkak të zgjedhjeve, ku bie në sy edhe mungesa e një vendimi për fillimin e punimeve.

Banorë të lagjes 14 në Durrës bllokuan këtë të enjte nisjen e punimeve për një rrugë të re.

Arsyet, ata thonë se i kanë të shumëfishta. Tentativa për cenimin e pronës private pa një vendim, dhe pa konsultim me ta, është njëra prej tyre.

"Jemi mbledhur këtu se kemi një tokë private dhe lagjia matanë do të hapë një rrugë këtu te ne."

"Nuk ka projekt rruge këtu fare, vjen bashkia pa letra."

Duke qenë se jemi në prag të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, banorët thonë se tentativa e Bashkisë, e cila drejtohet nga socialistja Emirjana Sako për të shtruar rrugën janë vetëm për llogari elektorale.

"Është kohë fushate dhe duan të hedhin çakull."

Banorët tregojnë edhe për dëme të tjera që u shkaktohen atyre me këtë ndërhyrje.

"Nëse bëhet rruga unë mbytem."

"Na vjen uji te shtëpia."

Në vendngjarje kanë shkuar edhe shefi i komisariatit të Durrësit, dhe drejtues të rendit të këtij qyteti, ndërsa banorët janë të vendosur për të mos lejuar që prona e tyre të dëmtohet.

Vendi Lajme durres Sociale protesta e banoreve asfalt elektoral nish-tulla

EMISIONET