Banorët e pallatit në ndërtim në rrugën “Ndre Mjeda” në zonën e ish- Parkut janë ngritur në protestë këtë të shtunë, duke kërkuar që puna të vijojë me ritme më të shpejta dhe ata të hyjnë sa më parë në banesa. Gjithashtu ata thonë se procesi i ndërtimit është bërë në mënyrë selektive.

Me thirrjen “duam shtëpitë tona”, pronarë të cilët kanë blerë hyrje në pallatin në ndërtim në rrugën “Ndre Mjeda” kanë dalë në protestë këtë të shtunë.

Ata thonë se të gjitha dokumentet i kanë të rregullta dhe kërkojnë nga institucionet të vendosin drejtësi dhe ata të hyjnë në banesat e tyre.

“Përveçse kontrata është e rregullt, kontrata është e bllokuar që në 2017 edhe në Hipotekë.”

“Të ndërhyjë drejtësia, të mbarojnë ato vendimet gjyqësore sa më parë që të na mbarojë pallati.”

Gjithashtu pronarët e hyrjeve në këtë pallat, thonë se ndërtimet po bëhen me ritme të ngadalta dhe se procesi i ndërtimit është bërë selektiv.

“Punimet po vazhdojnë shumë ngadalë dhe në mënyrë selektive.  Po të shikoni, shumica e banorëve të “Star Construction shpk” banojnë, ndërsa për të tjerët janë lënë apartamentet e pambaruara”.

Ndërkohë Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për dy biznesmenët Albert Allmuça dhe Sino Llanaj dhe “detyrim paraqitje” për tre punonjësit e sigurisë së kompanisë, Shkëlzen Byberi, Skënder Margjeka dhe Alfred Lumani.

Vendimi u dha ketë të shtunë në gjykatën penale nga gjyqtarja Rexhina Merlika ndërsa binznesmeni Sino Llanaj nuk u paraqit pasi ndodhej i shtruar në një spital privat në Tiranë.

Sipas prokurorit Dritan Nushi, rezulton se midis dy biznesmenëve Llanaj dhe Allmuça, bashkëpronarë, ka patur konflikt të vazhdueshëm prej kohësh, i cili kulmoi edhe me ngjarjen e fundit .

Ai i kërkoi gjykatës të vendoste masën “arrest me burg” për të gjithë të arrestuarit, kërkesë që nuk është marrë parasysh nga gjykata, e cila i ka liruar në masa “detyrim paraqitje” dhe “arrest shtëpie”.

Ndërkohë i pranishëm ne seancë, biznesmeni Allmuça ka pretenduar se prej tre vitesh ka patur konflikte me Llanaj, ndërsa ka mohuar të ketë njohje me dy personat që e kanë qëlluar.