Në ditën e tretë të grevës së urisë, gjendja shëndetësore e njërit prej naftëtarëve është përkeqësuar dhe është detyruar ta ndërpresë në mes duke u zëvendësuar nga një tjetër koleg.

Naftëtari është dërguar në shtëpi, pasi pranë Qendrës Shëndetësore ku ata janë ngujuar nuk ka ambulancë që mund tu japë ndihmën siç ka ndodhur në çdo grevë urie.

Përkeqësim të gjendjes shëndetësore kanë shfaqur edhe të tjerë naftëtarë por ata ende po qëndrojnë në Grevë.

“Sot ne gjendemi në ditën e tretë të grevës së urisë. Kolegët tanë kanë filluar të shfaqin shenjat e para: nervozizmi, dhimje koke, shenja të tjer.. Këto duan të bëjnë show me jetët tona. Duan që të bëjnë show pasi ata e kanë zgjidhjen, ndaj dhe ne i kemi ulur kërkesat për dy zgjidhje reale, ose të sjellin njerëzit e duhur ose ta mbyllin dhe të na japin atë që na takon. Nuk po kërkojmë asgjë jashtë ligjit. Mua më janë mbushur sytë me lot sepse para pak sekondash ndoqa intervistën e një kolegut tim i cili ka humbur bashkëshorten në vitet e jetës. Është 34 vite në rafineri, ka dy fëmijë dhe i ka lënë vetëm në shtëpi”, shprehet naftëtari.

Ata thonë se ende asnjë përfaqësues i shtetit apo firmës private nuk është interesuar për të biseduar me ta për problemet.

“Ne 7 veta siç jemi do të futemi dhe ne në grevë me ta sepse të gjithë jemi për një qëllim. Jemi futur dhe më parpara në grevë urie dhe na mashtruan, ndërsa tani nuk ma merr mendja të na mashtrojnë më sepse na gënjyen njëherë”, shprehet naftëtari.

Të mërkurën në mbështetje kishin edhe punonjësit e nënstacionit elektrik të Poçemit të cilët mund ti bashkohen grevës së urisë ashtu sic bënë në muajin Shkurt.

“Siç kërkojnë këta pagat, ashtu i kërkojnë edhe punonjësit e nënstacionit të Poçemit. Ne ishim nga të parët që u futëm në grevë se nënstacioni i trenit ka qenë dhe është aktualisht në punë sepse nuk i shërben vetëm uzinës, por të gjithë Mallakastrës. E gjithë Mallakastra atje furnizohet me energji dhe me ujë të pijshëm” , shprehet naftëtari.

Janë rreth 900 punonjës të rafinerisë së naftës që në vazhdimësi kanë kërkuar ndërhyrjen e shtetit për zgjidhjen e cështjes së pagave të prapambetura dhe rinisjen e punës