Ballkani Perëndimor do mund ta sigurojë si donacion vaksinën anti-covid

Ballkani Perëndimor do mund ta sigurojë si donacion vaksinën

Vendet e Ballkanit Perëndimor do të mund ta sigurojnë vaksinën potenciale kundër koronavirusit edhe përmes donacioneve apo marrëveshjeve bilaterale me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

Kjo u konfirmua në selinë e Komisionit Evropian në Bruksel, pasi tashmë janë bërë disa marrëveshje paraprake me prodhuesit e vaksinës për ta siguruar atë për të gjithë qytetarët e BE-së.

Me këto marrëveshje, Komisioni Evropian, në emër të shteteve anëtare, ka porositur më shumë se 1 miliard doza të vaksinës potenciale.

Krahas kësaj, shtetet anëtare janë duke bërë marrëveshje edhe me vetë prodhuesit potencialë të vaksinës.

Në pyetjen se a do të mund të përfitojnë nga këto marrëveshje të Komisionit Evropian me prodhuesit e vaksinës edhe shtetet e Ballkanit Perëndimor, nga Komisioni Evropian thanë se “shtetet anëtare të BE-së do të mund t’i ridrejtojnë apo t’i japin si donacione vaksinat për shtetet tjera, me të ardhura të mesme dhe të ulëta”, e këtu bëjnë pjesë dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Komisioni Evropian ka arritur marrëveshje me kompaninë AstraZenca për porosinë e 300 milionë dozave të vaksinave, me mundësinë që sasia të rritet edhe për 100 milionë doza tjera; pastaj, me prodhuesin CureVac për 225 milionë doza, me kompaninë Moderna për 80 milionë doza, me kompaninë Johnson & Johnson për 200 milionë doza, me mundësinë që sasia të rritet me 200 milionë doza shtesë, dhe me kompaninë Sanofi-GSK për 300 milionë doza të vaksinës potenciale.

Komisioni Evropian tha se porositja e vaksinave dhe përdorimi i tyre do të bëhen vëtëm pasi të konfirmohet se ato janë të suksesshme dhe të sigurta.

Shumë prej këtyre kompanive me të cilat Komisioni Evropian, në kuadër të strategjisë së BE-së për vaksinën, ka arritur marrëveshje paraprake, janë në fazën e avancuar të testimit të vaksinave./REL/

Bota Lajme koronavirusi ballkani perendimor vaksina anticovid

EMISIONET