I ftuar në Ora News, ish-deputeti i PD-së, Klevis Balliu tha se në lidhje me mesazhet e Veliajt drejtuar pronarit të RTV Ora kryebashkiaku duhet të kishte dhënë dorëheqjen.

Balliu u shpreh se Erion Veliaj është kthyer në një lavatriçe parash në biznesin e ndërtimit në kryeqytet.

Balliu: Veliaj duhet të jepte dorëheqjen duke folur me atë gjuhë dhe duhet të niset një hetim. Ky njeri bën krime dhe nuk nisen hetime. Ky njeri i ka ndërhyrë në profesion një gazetareje për punët që nuk ka bërë, sepse ai është një lavatriçe parash në ndërtim. Veliaj ka bashkëpunuar me një kompani që ka bashkëpunuar në Itali me Ndrangheta-n. Atje është nisur një hetim, ndërsa këtu jo. Këtu denoncuesi arrestohet, ndërsa ai që bën krimin rri në detyrë. Banorët e Unazës janë dhunuar dhe janë arrestuar, ndërsa këta që po vjedhin paratë nuk i gjen gjë.

Hetoheni ju, sillet policia dhe RENEA, ndërsa këtë njeri nuk e gjen gjë. Veliaj është prodhim i korrupsionit. Ky njeri është në politikë si investim i korrupsionit. Dhe kur ju ia nxirrni në pah këto çështje, ai ju sulmon. Erion Veliaj është tejet i lidhur me krimin dhe pastrimin e parave. Ai është lavatriçja më e madhe e drogës në histori në vendin tonë dhe në rajon. Të gjitha ndërtimet që bëhen sot në Tiranë, deri para pak vitesh ishin pa emër, këta janë afër Veliajt dhe të lidhur me narko-trafikun.

Sulmi ndaj RTV Ora ka ardhur pas një seance dhe një denoncimi që pronari juaj ka bërë ndaj Veliajt. Por nuk mundet që hetimi ndaj një televizioni të pengojnë hetimin ndaj Erion Veliajt. Ai ka ndërhyrë edhe në çështjen ku ishte prokuror Petrit Fusha dhe sot e kësaj dite janë fotot në takim me të. Nuk mund të lihen jashtë fokusit lidhjet e Veliajt me krimin e ndërtimit.