Nga Elbasani, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla u shpreh se socialistët janë progresistë.

Përmes një postimi në Facebook ai shkruan se PS është partia e vetme në Shqipëri që ka bashkëdrejtim mes grave dhe burrave në çdo lagje qyteti apo në çdo fshat.

“Ne socialistët shqiptarë jemi progresistë, nuk jemi konservatorë, jo për definicion, por se na dallon me të tjerët reagimi instiktiv, i përditshëm, refuzimi, dhe përpjekja për të shëruar çdo njësi shërbimi publik ku qytetarët nuk marrin si duhet shërbimet, ku ka korrupsion e të cilat ne duhet të vazhdojmë ti reformojmë. Prandaj qasja jonë në qeverisje ka në themel shpirtin e protestës ndaj problemeve me të cilat përballen realisht shqiptarja e shqiptari i thjeshtë çdo ditë, në çdo zyrë shteti, në çdo bashki, në çdo shërbim publik etj.

Brenda PS kemi zhvilluar prej disa muajsh një proces ripërtëritës, ri-organizimi, ku kemi synuar rritjen e peshës së grave e të vajzave në drejtimin e strukturës bazë të Partisë Socialiste. Jemi partia e vetme në Shqipëri që kemi bashkëdrejtim mes grave dhe burrave në organizatat tona në çdo lagje qyteti apo në çdo fshat. Duhet të vijojmë të ftojmë sa më shumë gra të bëhen pjesë e Partisë Socialiste.”

Balla ishte bashkë me ministren Evis Kushin, ku u takua me gratë anëtare të Këshillit Bashkiak të Elbasanit.