Avokati i kontrollorëve të Rinasit, Rezart Kthupi,  thotë se Shqipëria është rasti i vetëm në Europë që ka ulur pagat e kontrollorëve.

Në një intervistë për Ora News, ai bie dakord me ministren Balluku për rënien e trafikut të fluturimeve gjatë pandemisë, por thotë se kontrata e punës mund të rishikohet vetëm me marrëveshjen  e palëve dhe jo në mënyrë të njëanshme siç ka ndodhur me Albkontroll.

Kthupi: Ministrja ka shumë të drejtë kur thotë se ka rënë fluksi i fluturimeve por kontrata e punës është një marrëveshje dy palëshe, ku një palë merr përsipër të kryejë punën dhe pala tjetër të paguajë për punën. Kontrata e punës mund të rishikohet vetëm me marrëveshje të palëve. Duhet të uleshin dhe të negocionin për kushtet e ndryshuara të puëns,ai që nuk do të ishte dakord mund të largohej nga puna apo të gjenin një marrëveshje për pagesën e pjesshme duke respektuar kushtet e kontratës së punës. Në rastin konkret në mënyrë të njëanshme Albkontroll ka vendosur të ulë pagat pa negociuar fare me punonjësit. Shqipëria është rast unikal në të gjithë Europën që gjatë pandemisë pagat e kontrollorëve ulen. Asnjë shoqëri tjetër nuk ka kryer ulje të pagave të kontrollorëve.

Edhe pse vetë nuk ka qenë në takim me Ballukun, ai thotë se nuk prodhoi asgjë.

Kthupi: Është diskutuar problematika e largimit të kontrollorëve  por pa hyrë në detaje lidhur me kërkesat që kanë ata.Takimi nuk ka prodhuar asnjë efekt.

Hapësira ajrore shqiptare u mbyll të mërkurën pasi kontrrollorët e trafikut firmosën kontratën e paaftësisë në punë, por avokati thotë se nuk ka shkelje ligjore nga ana e tyre.

Kthupi: Në gjykimin tim nuk ka shkelje. Kontrollorët ushtrojnë një të drejtë të ligjit, ligji nuk parashikon që një apo dy kontrollorë mund të deklarojnë paaftësinë e tyre për punë apo jo. Ligji thotë që secili nga kontrollorët individualisht është përgjegjës për dorëzimin e kësaj deklarate. Nëse kjo bëhet individuale apo rastis që të gjithë bashkë kanë dorëzuar deklarataën e paaftësisë për punë. Dhe pse pretendohet për shkelje me aq sa kam unë njohuri ligjore nuk shoh të ketë as elementë të veprës penale dhe as shkelje të tjera të natyrës ligjore.Është një detyrim ligjor për tu përmbushur nga kontrollorët kur ata konsiderojnë se janë të papërshtatshëm nga ana fizike apo psikologjike për të ushtruar funksionin si kontrollor i trafikut ajror. Historia ka filluar në prill 2020. Me një vendim të njëanshëm të Këshillit Mbikqyrës është vendosur ulja e pagës dhe heqja e të gjitha të drejtave të përfituara nga kontrollorët nëpërmjet kontratave individuale.

Për komunikim me shoqërinë u janë drejtuar shkresa të gjitha institucioneve shqiptare përfshirë kryeministrin, institucioneve europiane që është Eurokontrolli dhe Sindikata Europiane e Trafikut të Transportit Ajror. Këto institucione  u kanë dërguar shkresa institucioneve shqiptare, duke i njoftuar për rastin unikal dhe të paprecedent që përfaqëson Shqipëria. Asnjë nga këto shkresa nuk ka marrë zgjidhje. Një pjesë e kontrollorëve ditën e djeshme kanë paraqitur një deklaratë për paaftësi në punë, kjo deklaratë është plotësuar vetëm nga dy kontrollorë në përfundim të punës. Ata kanë njoftuar supervizorët për paaftësinë  e përkohshme në ushtrimin e funksioneve.

Lexo edhe-Mbyllet hapësira ajrore shqiptare, nuk gjendet dakordësi me kontrollorët