Edhe përpara mbylljes për shkak të pandemisë, turizmi ka qenë një sektor me shumë problematika. Tashmë, goditja e pandemisë ka lënë gjurmë akoma më të thella tek ky sektor.

Pjesëtar i Këshillit Shkencor të UNESCO-s, Auron Tare vendos theksin tek turizmi cilësor duke thënë se momentalisht turizmi shqiptar vuan nga mungesa e strategjive të marketingut.

I ftuar në RTV Ora, ai shprehet se të gjithë ministrat e kanë gabim kur e lavdërojnë turizmin bazuar në shifrat e personave që vijnë në Shqipëri.

Sipas tij, kjo nuk është një tregues i cilësisë të këtij sektori.

Tare: Në krye të turizmit nuk ke njerëz të fushës fare. Vijnë nga fusha të tjera. Unë jam për reduktimin e numrave dhe rritjen e cilësisë. Po të shohim vjet në Sarandë, ku qyteti tashmë është bërë një hotel gjigant, në përgjithësi vinin turistë nga jugu i Italisë dhe për herë të parë në restorante filluan të ankoheshin që humbnin lugë, pirunj peshqira. Nëse ne do të zhvillojmë këtë lloj turizmi mendoj që e kemi humbur garën e kompeticonit në rajon. Nëse do t’i drejtohemi turizmit të kulturuar, një turizëm që ruan peizazhet natyrore atëherë do të kemi një shans të madh. Në momentin që ti hap vendin dhe fut sa më tepër, dhe sa më shumë gjëra pa një strategji marketingu, ti dëmton ambjentin. Dëmton dhe kulturën lokale, arsye përse çdo turist vjen. Çdo ministër i turizmit që ka qenë deri më sot, është shumë gabim kur del tek shifrat. Një zonjë që ka një kioskë mund ta pyesësh, është më e zgjuar se një ministër. Zonja e kupton që është më mirë që të ketë pak njerëz për të blerë gjërat e shtrenjta apo ka shumë njerëz që blejnë gjëra të lira.

Gjithashtu, Tare i qëndron mendimit për ruajtjen e linjave arkitekturore përgjatë fshatrave turistik të bregdetit.

Ai thotë se duke shkatërruar vijën bregdetare me ndërtime pa asnjë strategji arkitektonike, njerëzit do të shkojnë më pak në këto qytete apo fshatra turistikë.

Tare: Nuk kemi nevojë të shpikim modele. Mund të marrim si shembull Zagorinë greke ku të gjithë fshatrat tradicionale i kanë restauruar. Nga një nga zonat më të varfëra, sot ajo është një nga vendet e katra ose të pesta në Greqi për frymë popullise. Nëse ne do të vijojmë me këto ritme duke shpartalluar bregdetin tonë në mënyrë të lavdërueshme, ne do të kemi Sarandën që është një qytet që nuk do kemi arsye për të shkuar. Do shikosh Himarën që ka filluar ndërtimin e pallateve. Interesante është se janë të njëjtët pronarë,po ato njerëz, që ndërtojnë pallate, i shesine fitojnë por qyteti nuk fiton.  Ne do fitojmë nëse resturojmë fshatrat e bregut dhe krijojmë plane menaxhimi si fshatra tursitike. Të krijojmë uniformitete dhe këto të menaxhohen si asete turistike.