A ka dështuar policia e Shtetit është pyetje që ngre sot çdo shqiptar pas një ditë me një atentat në mes të Tiranës dhe dy viktima. Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ndryshoi përgjigje dy herë në pak orë ku u pyet për këtë situatë, madje bëri edhe filozofi me kriminalitetin.  Nga Elbasani, i prerë ishte vetëm për përgjigjen se nuk do të ikë nga qeveria Rama.

Disa orë pasi mediat i bënë bujë kësaj  deklarate, ministri i Brendshëm u shfaq në Elbasan me një qëndrim ndryshe për policinë e shtetit madje duke iu përgjigjur situatës alarmante të rendit me filozofi.

”Nuk kam thënë që dështoi policia.”

Një atentat me bombë në mes të kryeqytetit, një ekzekutim me stil mafioz në Rrogozhinë, dhe një krim në familje në Tiranë, të gjitha në një ditë, për ministrin janë ngjarje normale.

”Kjo nuk do të thotë se ngjarjet nuk do të ndodhin. Po mos të ndodhnin atëherë nuk do kishte polici.”

Atentati ndaj Preng Gjinit është vijimsi e një sage vrasjesh në Rrëshën e jo vetëm, por për Ministrin e Brendshëm më shumë se kaq është pabesi ndaj drejtësisë.

 ”Një goditje e shëmtuar, e pabesë ndaj qetësisë dhe sigurisë publike.”

Pas dy deklaratave kontradiktore nga Vlora e Shkodra për largimin nga qeveria, Lleshaj sqaroi nga Elbasani pozitën e tij në kabinetin e Edi Ramës.

”Iu përgjigja pyetjes në mënyrë tautologjike. Nuk kam dhënë dorëheqje, jam në detyrë, kam një mision, eci përpara.”

Lexo edhe: Shpërthimi në Tiranë, ‘dorëzohet’ Lleshaj. Pranon dështimin në parandalimin e ngjarjes

Lexoni të gjitha lajmet lidhur me shpërthimin e ndodhur te ‘Vasil Shanto’.