Preng Gjini ka dhënë deklarimet e para për hetuesve. Edhe pse shënjestër e atentatit me eksploziv në Tiranë, Gjini mohon të ketë patur konflikte, ndaj edhe nuk kishte marrë mbrojtje shtesë. Deri në këtë fazë të hetimeve policia e prokuroria kanë sekuestruar dhjetëra kamera sigurie por ende pa rezultate konkrete sa i përket identifikimit të autorëve.

Ndonëse në gjendje të rënduar shëndetësore, por jashtë rrezikut për jetën, Preng Gjini i cili u plagos nga një atentat me tritol ka dhënë dëshminë e tij paraprake para oficerëve të policisë gjyqësore.

Pa dhënë detaje të vlefshme për hetimin, 50-vjeçari ka mohuar konflikte me persona të tjerë, ndërsa ka rrëfyer dhe itinerarin që ka ndjekur me makinë ditën e ngjarjes.

“Nuk kam konflikte me asnjë njeri. Kam ardhur në Shqipëri para një muaji për 1-vjetorin e vdekjes së vëllait. Kam jetuar më shumë jashtë se në brenda vendit. Disa minuta para shpërthimit kam marrë makinën, e cila është e djalit të hallës, e kam përdorur gjithmonë si pasagjer, atë ditë e mora ta drejtoj vetë”.

Në funksion të hetimeve, janë administruar dhjetëra kamera e sigurie, jo vetëm në Tiranë por edhe në Lushnjë e Durrës, të cilat pritet të zbulojnë se kur dhe ku është instaluar sasia e tritolit.

Dyshimet e para janë në tiranë, por nuk përjashtohet dhe mundësia të jetë fiksuar gjatë një ndalese që nipi i Gjinit ka bërë në afërsi të Durrës, zonë pa kamera sigurie.

Shënjestra e atentatit sipas policisë dyshohet se është mbajtur nën vëzhgim nga autoret prej të paktën një muaji. 

Deri më tani hetimet nuk kanë dalë ende në konkluzionin nëse eksplozivi i vendosur në makinën e përdorur nga Preng Gjini ka shpërthyer nëpërmjet thirrjes telefonike apo ka qenë i telekomanduar.

Grupi hetimor ka marrë në pyetje anëtarë të familjes Reçi të cilët kanë mohuar akuzat dhe përfshirjen në këtë ngjarje.

Alfred Reçi vëllai i Kastriot Reçit ka thënë për hetuesit se e njeh Gjinin pasi të dy janë nga Mirdita, por nuk ka pasur konflikte me të, dhe shpërthimin e ka mësuar nga televizionet.

Gjithashtu mësohet se janë ushtruar kontrolle në të gjitha banesat e fisit Reçi, por blutë nuk kanë gjetur armë apo sende të dyshimta, ndërsa askush nuk pranon se ka pasur konflikte me Gjinin.

Deri në këtë fazë hetimesh, shkak i atentatit dyshohet hakmarrja.