Kanë dalë sot para gjykatës 4 të arrestuarit si të akuzuar për atentatin e dështuar ndaj biznesmenit Andon Dhima, ku do të njihen me masën e sigurisë.

Ndërsa gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore, motra dhe bashkëshortja e dy prej të arrestuarve, Grid Lenos dhe Mariglen Matohiti është shprehur se ata nuk kanë lidhje me ngjarjen.

Në një prononcim për mediat, bashkëshortja e Grid Lenos tha se ka vënë në dispozicion të autoriteteve, një material filmik ku shihet se në orën që është tentuar t’i bëhet atentat Dhimës, ai ka qenë në punë duke punuar si kamarier.

Ajo thekson se burri dhe vëllai ndodheshin në lokal, tri minuta para se të ndodhte atentati i dështuar, dhe se i vetmi fakt që i lidh me ngjarjen, është rutina e zakonshme e të shoqit për të dalë për vrap nga liqeni, ku pranë ndodhet edhe pallati i biznesmenit.

“Im vëlla dhe burri ishin në lokal, njëri kamarier, duke punuar me pjata në duar jo me armë. Në video bëhet fjalë në orën 22:06 minuta, atentati është bërë në orën 22:09. Të flasim fillimisht për këtë, më pas për rajonin. Im vëlla vetëm të ketë ndonjë klon dhe të iki. Plus që ka patur mbi 20 vetë dëshmitarë. Dua të flas për këtë videon se rrëzon policinë dhe ato që kam parë në media, se i kanë nxjerrë si vrasës të paguar. Kanë thënë që Grid Lenon është i dënuar në Gjermani. Ka paguar për krimin e tij. Me biznesmenin nuk i ka lidhur asgjë. Erdhi policia, kur unë isha tek lokali deri në mbrëmje dhe i morën dhe i rrahën, meqë siç tha polici: Prej teje kam 5 netë pa gjumë. Ke bërë detyrën i tha burri im dhe në këtë moment e qëlluan.”

Po ashtu, ajo akuzon për dhunë dhe kërcënime efektivët e Policisë së Shtetit që kanë ndaluar dhe qëlluar të shoqin, ndërsa atë vetë e kanë kërcënuar se do e përfshijnë në ngjarje dhe se fëmijën do e dërgojnë në jetimore.

Mua më morën në rajon si të shoqëruar, dhe më thonin ty do të të arrestojmë dhe fëmijën do e çojmë në jetimore. Lidhin tutat sportive se ai del tek lokali. Tim shoq del për vrap tek liqeni, dhe e lidhin meqënëse ai del atje duke kaluar për vrap. Ka një video që ka kaluar në afërsi. ai nuk punon se merrem unë me restorantin. Ai është shtëpi, sport, fëmijë, lokal. Po ta shihni është shumë afër lokali me liqenin. Ç’lidhje ka kjo me atentatin?

Vëllai im ka deklaruar që ato sende nuk kanë qenë në shtëpi. Asgjë nga Policia nuk është e vërtetë, duke qenë se unë kam video që e përgënjeshtron këtë gjë. Nuk i njohim, nuk kemi lidhje fare. Nuk kemi lidhje me biznesmenin. I them këtij zotit Dhima, mund ta takoj t’i them çfarë lidhje kanë këta. Ai duhet të ndihet ende i kërcënuar, se atentatorët nëse i ka jashtë është ende i rrezikuar. Mund të jenë kaq të pafajshëm sa këta të mitë. Unë e kam tim vëlla me video me pamje që ka qenë atje në ditëlindje. Më thanë që do të të fusim në burg për moskallëzim krimi, ndërkohë që s’kisha lidhje.”

Grid Lenon dhe Mariglen Matohiti janë dy nga katër të arrestuarit për ngjarjen e 15 tetorit. Bashkë me Albin dhe Enea Hoxhën, ata pritet të dalin sot para gjykatës ku do të njihen me masën e sigurisë.

Më 15 tetor, biznesmeni Andon Dhima publikoi pamjet e një atentati që sipas tij ishte tentuar t’i bëhej poshtë pallatit, tek dera e ashensorit, ku dy persona shihet se hynë pas tij dhe menjëherë u larguan.