Punimet në sheshin shqiponja kanë sjellë vështirësi jo vetëm për drejtuesit e automjeteve që duhet të kalojnë në këtë segment por edhe për banorët  e lagjes. Ata thonë se prej nisjes së kësaj ndërhyrje është shtuar më shumë pluhuri dhe zhurma, ndërsa rreziku i aksidenteve është shtuar.

Prej vitesh zona e Astirit është lënë në harresë nga bashkia e Tiranës, por në rastin e parë që ky institucion u kujtua për të ndërhyrë, nuk ishte për rehabilitimin, por për të devijuar trafikun për shkak të punimeve në sheshin shqiponja.

Ky veprim thonë banorët ka shtuar më shumë rrezikun për ta e sidomos kur vjen puna te fëmijët.

“Kemi frikë se nuk ndalojnë këta. Do të presim sa të kalojnë makinat.”

Bashkë me trafikun shtohen ndotja akustike dhe pluhuri.

Një shqetësim ky i vazhdueshëm për këta qytetarë, por prej së hënës është shtuar edhe më shumë.

“Pluhur sa të duash, zhurma sa të duash. E hapim dritaren sa nuk ka makina.”

Dalin për të marr pak ajër, por nuk gjejnë as ajër të pastër e as vend për tu ulur.

“Nuk ka një lulishte, ka vetëm beton dhe pallate.”

U duket sikur vëmendja është përqendruar vetëm në segmentin kryesor, pasi në brendësi të lagjes, qytetarët përballen me shumë probleme të tjera nga mungesa e investimeve.

“Pallati ka 5 vite që është bërë, duket sikur ka 100 vite.” Punimet në sheshin shqiponja, mes problemeve të tjera kanë sjellë edhe kaos në qarkullim në zonën e Astirit.

Stresi shoqëron çdo ditë si banorët ashtu edhe drejtuesit e automjeteve.