Ushtarët zviceranë i janë bashkuar betejës kundër pandemisë së koronavirusit duke dalë vullnetarë në një nismë teknologjike për gjurmimin e sëmundjes. Aplikacionet gjurmuese po zhvillohen nëpër botë si mënyrë për të kontrolluar përhapjen e virusit.

Zvicra ka mobilizuar ushtrinë për testimin e një programi celular që synon të ngadalësojë përhapjen e koronavirusit nëpërmjet gjurmimit të tij.

100 ushtarë zviceranë dolën vullnetarë të enjten për t'u gjurmuar 24 orë në përditshmërinë e tyre.

Duke shfrytëzuar teknologjinë e radiovalëve, aplikacioni ofron mundësinë e sinjalizimit të autoriteteve nëse personat mbajnë kontakte fizike të afërta ose nëse dikush prej tyre shfaqur simptoma të infeksionit.

Teknologji të tilla përdoren prej javësh në shtetet aziatike, si Koreja e Jugut apo Singapori, dhe tani po shihen të dobishme kundër pandemisë edhe në Europë.

"Këto aplikacione i shkëmbejnë sinjalet kur personat janë në afërsi rreth 2 metra nga njëri-tjetri, që ne mendojmë se është distanca e transmetimit të sëmundjes. Nëse personi dikur rezulton pozitiv me koronavirus, njoftohet sistemi dhe kështu vihen në dijeni edhe personat e tjerë të afërt, që të kontaktojnë me autoritetet shëndetësore," tregon drejtori i zyrës për Epidemiologjinë Digjitale në Institutin Federal zviceran të Teknologjisë.

Shkencëtarët thonë se teknologjia është e sigurt dhe ruan sferën private të secilit pasi informacionet nuk ruhen në server qendror por te aparatet celulare.

Aplikacioni ende nuk është testuar me grupet më të rrezikuara nga Covid-19, siç janë të moshuarit, që gjithashtu janë më pak të prirët në përdorimin e celularëve.

Por në qytetin e Gjenevës, banorët ndajnë pikëvështrime të ndryshme rreth nismës, madje edhe skepticizëm se kjo metodë mund të përdoret nga shteti për të mbikëqyrur më tej qytetarët.

"Jo, do shkarkoj aplikacionet që më duhen mua. Shteti ka boll informacione rreth meje. Në celular kam një GPS që jep vendndodhjen, dhe kaq mjafton."

"Unë jam gati ta shkarkoj aplikacionin pa problem. Mendoj se është e nevojshme që të dalim sa më shpejt nga kjo krizë shëndetësore."

Zvicra të hënën filloi heqjen graduale të masave drastike të ndalimlëvizjes, duke rihapur sallonet e bukurisë dhe qendrat e masazhit, ndërsa shumica e dyqaneve, shkollave dhe tregjeve ushqimore presin datën 11 maj.

Covid-19 u ka marrë jetën më shumë se 1,350 zviceranëve ndërsa rreth 30 mijë persona e kanë luftuar infeksionin.

/Ora News.tv/