Zjarrfikësit në ishullin grek të Evias presin që beteja e tyre me flakët të vijojë edhe për disa ditë.

Zjarri që u përhap masivisht të martën është tani tërësisht i kontrolluar në perimetrin e tij, falë edhe ndërhyrjes së mjeteve zjarrfikëse nga Italia dhe Kroacia.

Por në zonën përbrenda raportohet se janë ende aktivë thëngjijtë e drunjve të pishës, ullinjve apo të bimësisë së dendur të ishullit që u shkrumbua këtë javë brenda pak orësh.

Autoritetet thonë se situata në një hapësirë prej 23 kilometra katrorë ose mbi 2,800 hektarë të rezervatit natyror të Evias është një "katastrofë ekologjike".

Të premten, banorët e katër fshatrave të Makrimalit, Kondodhespotit, Plataniasë dhe Stavrosit u kthyen në banesat e tyre për të marrë furnizime.

Agjencia greke e sigurimit të fermerëve tha se do të evidentojë në terren dëmet e shkaktuara në të mbjellat e tyre dhe do të bëjë kompensimet e nevojshme.

Ndërkohë po vijon pyetja e dëshmitarëve dhe hetimet për zjarrëvënie të qëllimshme.

Policia ka arrestuar të paktën tre banorë vendës pasi nga provat e gjetura dyshohet se flakët u përhapën njëkohësisht nga pika të ndryshme të rajonit.

Korporata elektroenergjetike e Greqisë ka refuzuar ndërkohë pretendimet se zjarri mund të jetë shkaktuar nga një defekt i linjave elektrike, duke sqaruar se sistemi i kabllove të kompanisë ndodhet në një largësi disa kilometra nga pylli që u shkrumbua në fillimin e javës.

/Ora News.tv/