Tragjedi në Rusi, asnjë i mbijetuar nga rrëzimi i avionit me 71 persona në bord

Një avion pasagjerësh rus me 71 persona në bord është rrëzuar në juglindje të Moskës, raportojnë mediat ruse. 

Agjencitë vendase deklarojnë se nuk ka mundësi jete për 65 pasagjerët dhe 6 anëtarët e ekuipazhit të avionit i cili u zhduk nga radarët më pak se 10 minuta pas nisjes.

 Avioni  i tipit Antonov An-148 i kompanisë "Saratov Airlines" ishte nisur në orën 11:22 me orën lokale nga aeroporti i Domodedovos në Moskë drejt qytetit Orsk që ndodhet afër kufirit rus me Kazakistanin.

Pasi është ngritur nga aeroporti i kryeqytetit rus avioni është përplasur në një fshat të Moskës, Argunovo, një distancë prej 80 km.

Ende nuk dihet nga autoritetet se cilat janë shkaqet e këtij aksidenti fatal, por Ministria ruse e Transportit po shqyrton disa pista të ndryshme që mund të kenë shkaktuar rrëzimin, si kushtet e këqia të motit apo gabimet e pilotit.

Deri tani janë gjetur vetëm disa pjesë të avionit në fushat në juglindje të Moskës, ndërsa dëshmitarë në fshatin Argunovo raportuan se kishin parë që avioni ishte përfshirë nga flakët në momentin e rrëzimit.

Modeli i avionëve Antonov An-148  është përfshirë në pesë aksidente në të kaluarën në pajisjet e uljes, sistemin elektrik dhe sistemin drejtues.

Presidenti rus, Vladimir Putin, i ka bërë thirrje të menjëhershme qeverisë të ngrejë një komision të posaçëm për të hetuar shkaqet e rrëzimit të avionit.

Deklarata u bë nga zëdhënësi i Kremlinit. Presidenti rus ka shprehur dhe ngushëllimet e tij për viktimat.



EMISIONET