Partia ZGJIDHJA reagon pas deklaratave të bashkëkryetarit të Komisionit të Reformës zgjedhore, Bledi Çuçi, sipas të cilit, javën e ardhshme do të publikohet drafti pa konsensusin e opozitës. Kjo parti i bën thirrje kreut të opozitës që t'i japë fund pazareve sipas saj me zgjedhjet.

Reagimi i plotë i partisë ZGJIDHJA: 

Bashkëkryetari socialist i Komisionit të Posaçëm për reformën zgjedhore, Bledi Çuçi, tha sot se opozita nuk ka shkuar në Komision, duke bllokuar punën për realizimin e saj dhe se javën e ardhshme do të bëhet publik drafti përfundimtar pa konsensusin e opozitës.

Partia ZGJIDHJA deklaron se nëse do të ishte e vërtetë kjo që pretendon deputeti i PS-së, ky do të ishte një lajm i mirë për demokracinë dhe popullin shqiptar, sepse Rilindja dhe SHQUP-i deri dje ishin në konsensus për të bllokuar demokratizimin e zgjedhjeve, duke bërë vetëm disa retushime të vogla, siç deklaroi eksperti i Komisionit të Venecias, Iurie Ciocan, një muaj më parë.

ZGJIDHJA beson se, ashtu si në të kaluarën, dy partitë e vjetra janë bashkë për të mos ndryshuar asgjë në reformën zgjedhore, edhe pse thonë se po bëjnë amendime që adresojnë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Nëse do ta kishin me të vërtetë ato do të pranonin të hiqnin dorë nga administrimi bipartizan i zgjedhjeve, t’i çlironin ato, duke mundësuar që edhe në Shqipëri zgjedhjet të zhvillohen si në të gjitha vendet e rajonit dhe në botë.

ZGJIDHJA i kërkon Lulzim Bashës që t’u japë fund pazareve me votën e shqiptarëve. Nëse e ka seriozisht opozitën me qeverinë t’i heqë pushtetin mbi votën Edi Ramës. SHQUP-i në këtë rast do të humbasë edhe vetë monopolin mbi zgjedhjet, por të fituar do të jenë shqiptarët dhe demokracia.

#ZgjidhjaPërLirinëeVotës

/Ora News.tv/